Është mbyllur mbledhja e parë e Komisionit për Reformën Territoriale, ku është bërë edhe konstituimi i tij.
Mbledhja është mbajtur pa debate, me ish-ministren Anila Denaj që bëri një përmbledhje të shkurtër të rezultateve të Reformës së vitit 2014, ndjekur nga fjala e bashkëkryetares së Komisionit, Dhurata Çupi.
Kjo e fundit tha se Refroma e tetë viteve më parë ishte një dështim dhe theksoi nevojën për t’iu rikthyer në detaje.
Debatet nuk vazhduan gjatë, teksa në fund ishte deputetja Mesila Doda ajo që ftoi kolegët që çështjet dhe kundërshtitë politike t’i linin për në mbledhjet e radhës, ndërsa sot të vazhdohej me konstituimin.
Debatet:
Denaj: Ndjekja formale e rendit të ditës si bashkë-kryetare është në fokus dhe jo komandimi. Në raport me rendin e ditës ezauruam konstituimin dhe sqarimin për çështjen e të sekretariatit teknik, ndërkohë që dua të theksoj se do kemi në mbledhjen e radhës planin e veprimit dhe jo sot sepse është e pamundur për të bërë një punë cilësore dhe juridikisht korrekte.
Çupi: Mes rreshtave përmendët dhe afatet kohore. Ne nuk mund të jemi në presionin e datave dhe përfundimeve të afateve. Komisioni është mbledhur në shkurt, pra vendimi i parë ka dalë në shkurt dhe më pas komisioni është konstituuar më vonë. Ne duhet të punojmë deri në limitin që mendoj përkon me dekretin e Presidentit për zgjedhjet e ardhshme dhe atë limit ne duhet ta shfrytëzojmë për të bërë konsultime me qytetarët. Nuk mund të jemi nën presionin e limiteve. Ne duhet të jemi të lirë. Kjo ishte e tepërt zonja kryetare, ndoshta dhe provokim.
Denaj: Absolutisht jo provokim. Dua t’ju kujtoj nenin 24, pika 3 të rregullores së Kuvendit ku vetëm sipas këtij neni procedurialisht mund të flitet për afatet. Sigurisht që përtej diskutimit që kemi bërë dhe diskutimeve të tjera, mendoj që ka sot një afat i cili është juridikisht i referuar me urdhër. Sipas rregullave të Kuvendit kur të vijë koha e një afati për të folur konkretisht për të do të flasim. Ky afat nuk është sot.
Doda: Nuk është as dita dhe as vendi për ta nisur politikisht. Meqë është një seancë sot e karakterit teknik duhet ta lënë këtu. I thërras çdo kolegu që të kuptojmë se do kemi shumë kohë për tu përballur. Për çështjen e afateve, ju e e dini që asnjëherë një komision nuk mund të mbyllet dot në mes sepse i ka ardhur dita. Ky parlament prej shumë shumë vitesh zgjat afatet, kjo nuk është një reformë e thjeshtë, kjo është një reformë që nuk ka marrë Ok fillimisht të të dyja krahët. Atë që do i kërkoja kolegëve të mazhorancës, ata që e kanë miratuar dikur, është që të kuptojnë se nuk është thjesht çështje politike, por bëhet fjalë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarit e cila sot nuk është më e thjeshtë, është më e vështirë. Të shohim të bëjmë më të mirën.
/ abcnews.al
Lexo edhe: Çupi: Reforma Territoriale e vitit 2014 dështoi, duhet t’i rikthehemi në themel
Lexo edhe: Nis nga puna komisioni i Reformës Territoriale, sot bëhet konstituimi