Futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Kjo dihej dhe epopeja që ndodhi në “San Siro” e vërtetoi sërish. Interi arriti finalen e Championsit, pasi I mbijetoi një mbrëmjeje epike dhe tepër të vështirë përballë Barcelonës, në një nga ato ndeshje që do të mbeten padyshim në histori.
Përfundoi 4-3 për kampionen e Italisë pas 120 minutash lojë, më pak se një javë pasi dy ekipet barazuan 3-3 në Katalonjë. Ashtu si në “Montzhuik”, zikaltërit kryesuan 2-0, ndërsa u ndodhën në prag të eliminimit.
Fati, karakteri dhe përvoja bënë që të barazonin në sekondat e fundit, dhe të fitonin në shtesë. Lautaro Martinez dhe Çalhanoglu me penallti shënuan për vendasit në pjesën e parë, Erik Garsia, Dani Olmo dhe Rafinja përmbysën për “blaugranët”, Açerbi barazoi në minutën e tretë shtesë dhe Fratezi realizoi në 98’.
Barça ishte sërish ekipi më i mirë në fushë, me plot 71 për qind mbajtje topi, dhe besnike e filozofisë së saj sulmuese. Bëri më shumë gjuajtje, 22-13, pati më shumë korne, dhe më shumë se trefishin e pasimeve.
Vetëm shtylla e Lamin Jamalit i hoqi golin për 4-2 në sekondat para rrjetës së Açerbit. Gjithsesi, trajneri Simone Inzagi me të drejtë ishte krenar për të vetët.
“Kemi arritur disa rezultate të mëdha. Jam shumë I lumtur për atë që bëmë këtë herë. Nuk kam fjalë për të vlerësuar djemtë që vendosën zemrën në fushë. Ndaj Bajernit apo Barcelonës duheshin prova të mëdha. Kënaqësia është e madhe, aq më shumë në një mbrëmje përpara tifozëve tanë, që na kanë mbështetur për 4 vjet me radhë. Tani duhet të përgatitemi mirë për finalen, por ne po luftojmë edhe në kampionat ku synojmë titullin. Gjithsesi, djemve u dhashë një ditë pushim”.
Barcelona pati kritika për arbitrimin e polakut Marciniak, ndërsa trajneri Flik foli me kokën lart.
“Unë e di se të gjithë në ekipin tonë janë të zhgënjyer që ne u eliminuam. Morëm goditje në këtë ndeshje, por u rikthyem thuajse gjithmonë. Mendoj se disa vendime arbitrale ishin 50 me 50 për qind, por u thanë që të gjitha për Interin. Kështu ndodhi, por duhet ta pranojmë sepse kështu e ka futbolli. Në fund, ne mund të jemi krenarë për paraqitjen tonë. Jam krenar për ekipin tim që dha gjithçka”.
“Një Inter mitik, – titullon me të madhe “La Gazeta delo Sport”, – fitore fantastike! Jemi në finale! Eliminohet Barça e supertalentit Jamal!”
“Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh me mbiemrin e Jamalit dhe titullin e himnit të Interit: Jamala! Inter mitik, në finale pas 120’ të çmendura!”
“Lamtumirë epike, – shkruan me zemër “El Mundo Deportivo” nga Katalonja, – Barça bie në Milano dhe I shpëton finalja, edhe pse luajti një ndeshje të madhe!”
“Çfarë krenarie për ekipin, – është vlerësimi I së përditshmes tjetër katalanse, “Sport”, – Ekipi I Flikut largohet nga Championsi me kokën shumë lart! Polemika për arbitrin!”
Padyshim, ndikoi fakti që për Interin kjo ishte shpresa e fundit, ndërsa Barça ka fituar dy trofe këtë sezon, dhe është pranë titullit në Spanjë./abcnews.al