Mbyllet fushata zgjedhore në Kosovë

schedule18:37 - 4 Tetor, 2019

schedule 18:37 - 4 Tetor, 2019

Partitë politike në Kosovë përmbyllën fushatën për zgjedhjet parlamentare të së dielës. Përgjatë 10 ditëve, 20 subjekte politikë kanë shpalosur platformat e tyre para elektoratit.

Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore në Kosovë. Fushata zgjedhore atje ka zgjatur vetëm 10 ditë.

Kryeqyteti është vendi ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur për të përmbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë.

Ndërsa Lidhja Demokratike që e kishte hapur fushatën në kryeqytet ka zgjedhur qytetit e Gjilanit për ta përmbyllur atë.

Koalicioni AAK-PSD zgjodhën qytetin e Gjakovës derisa Nisma e AKR Prizrenin.

Qytetarët e Kosovës patën mundësi që për 10 ditë radhazi të dëgjojnë nga afër planprogramet e partive politike.

Gjatë kësaj fushate sipas vëzhguesve të rrjetit të OJQ-ve Demokracia në Veprim partitë politike shpenzuan mbi 2 milion euro.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në fushatë është 229 aktivitet 79 mijë persona. Shqetësuese mbetet pjesëmarrja e gruas vazhdon të mbetet në kuota të njëtja me 22 për qind”, deklaroi Florent Spahija i partisë “Demokracia ne Veprim”.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka  ka kërkuar nga partitë politike që të dërgojnë komisionerë të përgjegjshëm ndërsa këta të fundit i ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin nëse ngrihen dyshime për parregullsi.

“Në ditën e zgjedhjeve të gjithë komisionerët që do të kenë edhe një dyshim më të vogël se kanë bërë manipulimin e kandidatëve apo edhe votave, do të ngrihen kallëzime penale direkte në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi kryetarja e KQZ Valdete Daka.

Në garë për 120 vende të legjislaturës së 7 të Kuvendit të Kosovës janë 1070 kandidatë nga 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike e iniciativa qytetare, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!