Një 32 vjeçar i dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg për mbjellje droge është arrestuar në Mat. Ai i shpëtoi policisë në 2019, kur u arrestuan 2 bashkëpunëtorët e tij, të tre autorë të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga policia.
Njoftimi i policisë
Në vijim të operacionit policor të koduar “Ulëza”, kapet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas i shpallur në kërkim i dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg. Gjatë operacionit të zhvilluar në muajin nëntor 2019, janë vënë në pranga dhe 2 shtetas të tjerë. Në vijim të operacionit policor të koduar “Ulëza”, për kapjen e bashkëautorit tjetër të shpallur në kërkim si i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë policore për vendndodhjen e tij, kanë organizuar punën dhe si rezultat në orët e para të mëngjesit të sotëm, pranë banesës së tij në fshatin Baz, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit: E. Ll, 32 vjeç, banues në Baz, Mat.
Gjykata e Shkallës së Parë Mat, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 8 muaj burg për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, i cili në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (të arrestuar nga Policia në nëntor 2019) , dyshohet se janë autorë të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al