Mbulohet nga mbeturinat bregdeti i Shëngjinit

schedule18:30 - 11 Nëntor, 2019

schedule 18:30 - 11 Nëntor, 2019

Në bregdetin e Shëngjinit kanë mbërritur tonelata mbeturinash nga prurjet e reshjeve. Një situatë kjo që rëndohet çdo ditë, ndërsa Bashkia e Lezhës ka deklaruar se do të ndërmarrë një aksion për pastrimin e bregdetit.

Në bregdetin e Shëngjinit kanë mbërritur tonelata mbeturinash nga prurjet e reshjeve. Kjo ndotje sa vjen e rëndohet pasi mbetje të tjera vijnë e përfundojnë aty çdo ditë. Për këtë arsye edhe bashkia e Lezhës do nisë punën për largimin e tyre megjithëse kjo e zgjidh problemin për pak kohë.

Tonelata inerte kanë mbuluar bregdetin e Shëngjinit në zonën e Vainit. Rrjedha e lumit Drin depozitoi drejt detit Adriatik çdo mbetje që gjeti rrugës, pas prurjeve të shumta si pasojë e reshjeve intensive.

Furnizimi i bregdetit me mbeturina vazhdon. Edhe për bashkinë e Lezhës  është një situatë që duhet zgjidhur. Largimi i mbetjeve është vetëm një mënyrë për të zgjidhur problemin për pak kohë.

Por eliminimi  kërkon më shumë se kaq dhe nënkryetari i bashkisë Ermal Pacaj tregon hapat që do ndërmerren.

“Për sa i përket planeve afatgjata, nga Bashkia Lezhë po shihet mundësia për të shtuar infrastrukturën në shërbim të qytetarëve, për mbetjet urbane. Normalisht që edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve duhet të bëj pjesën e saj. Bashkia Lezhë është përzgjedhur nga GIZ për të bërë studimin e fizibilitetit të një mundësie që në të ardhmen të ndalojmë volumin e mbetjeve urbane, që nëpërmet shtratit të lumit Drin, derdhen në det”, tha Ermal Pacaj nënkryetari i bashkisë Lezhë.

Vërshimet në bregdetin e Lezhës janë fenomen që zgjatet deri në muajin prill kur edhe ulet intensiteti i shirave.

Nëse bëjmë përllogaritje, atëherë duhet të merret me mend sasia e mbeturinave që përfundon në këtë plazh deri në pranverë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!