Në aeroport mbërritën në mesditë.
Kampionia e re e botës, Spanja, u kthye triumfatore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me trofeun e artë të FIFA-s, dhe me të vetmen gjë të mbetur në program, festimin.
“Furitë e Kuqe” patën një të hënë krejt të veçantë në kryeqytetin Madrid, pasi përfunduan me sukses aventurën e tyre në Botërorin e Amerikës së Veriut.
Nuk kishin kaluar aq shumë orë që nga mbyllja e finales së fituar 1-0 ndaj Argjentinës në Nju Xhersi, kur nisi shfaqja e madhe.
Pasi u vendosën në hotelin e përcaktuar për ta në Sheshin e Spanjës, futbollistët dhe stafi teknik u nisën për në takim në Pallatin Mbretëror, në Zarzuela, në audiencë me Mbretin Filipi I Gjashtë.
Familja Mbretërore foli me seleksionin, bëri foto me të, ndërsa Mbreti e quajti epike fitoren në Kupën e Botës, e deklaroi se kur luan kombëtarja, luan e gjithë Spanja.
Në orën 17:45 ishte radha për t’u pritur në rezidencën e kryeministrit Pedro Sançez, në Pallatin Monkloa, dhe vetëm në orën 19:00 nisi itinerari I shëtitjes nëpër Madrid me autobusin e hapur tradicional.
Edhe pse ishte parashkuar që heronjtë të mbërrinin në Sheshin Sibeles në orën 20:45, kjo ishte e pamundur.
Autobusi eci me shpejtësi tepër të ulët për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të njerëzve që kishin dalë nëpër rrugë.
Sipas gazetave sportive në Madrid, dhe sipas qeverisë, vlerësohen deri në 2 milionë tifozë e qytetarë që ishin në takim me kombëtaren.
Vetëm në Sheshin Sibeles ishin 120 000.
Një kremtim I merituar, më I madh edhe se për triumfet e Realit apo Barcelonës, sepse Spanja po e feston e bashkuar këtë ditë të shënuar, pavarësisht ndarjeve në kastilianë, katalanas apo baskë.
“Furitë e Kuqe” të trajnerit Luis De La Fuente fituan titullin botëror me 7 fitore e një barazim, me vetëm një gol të pësuar, dhe kjo dy vjet pasi u shpallën kampionë të Europës.



