“Mbretërit e parë të Europës”, Shqipëria pjesë e ekspozitës së rëndësishme në SHBA, Muka zbulon objektet përfaqësuese

schedule13:40 - 31 Mars, 2023

schedule 13:40 - 31 Mars, 2023

Më 30 mars është çelur në SHBA ekspozita “Mbretërit e Parë të Europes” (First Kings of Europe)” dhe pjesë e saj është edhe Shqipëria. Vendi ynë po përfaqësohet me 17 objekte që i përkasin periudhës së hershme të Bronzit, që datojnë 4500 deri në 2500 vjet me parë.

Drejtoresha e Institutit të Arkeologjise, Belisa Muka ka zbuluar detaje në emisionin “Pas Mesnate” sonte në ABC News, duke e konsideruar me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi promovon kulturën e vendit tonë.

“Është një nga gjërat e bukura të cilat prej vitesh jemi duke punuar, në fakt në rastin konkret, projekt i nisur para pandemisë me një grup pune të përbërë nga kolegët Rovena Kurti, Rubens Ruka dhe Luan Përzhita, të cilët janë marrë me identifikimin dhe përzgjedhjen e objekteve që janë pjesë e ekspozitës “Mbretërit e parë të Europës”, i cili do të inagurohet pak ditë më pas, më 30 mars në Chicago. Ne në këtë ekspozitë, e cila synon të hedhë dritë mbi këto fazat kalimtare, momentin e shfaqjes së helikave të para, të kalojmë nga një shoqëri që është kryesisht bujqësore në një shoqëri, e cila kërkon të shfaqet dhe të imponohet me kategori të ndryshme objektesh si ari, bronzi, sipas kategorive. Në rastin konkret ne jemi me 17 objekte të përzgjedhura me shumë kujdes nga grupi i punës, të cilat vijnë kryesisht nga Veriu, Mati etj. Pra, mbretërit tanë të parë do të jenë kryesisht mbretërit e Veriut të Shqipërisë.

Në aspektin e promovimit të trashëgimisë sonë kulturore është rasti i parë i këtij formati në SHBA. Pra, është shumë e rëndësishme sepse sensibilizon një publik që jo domosdoshmërisht mund ta njohi Shqipërinë, sepse është muzeu i dytë në Chicago sot për nga rëndësia dhe një rrjet të tërë komunikimi me muzetë si motra, jo vetëm në territorin e Europës, ngushtësisht në tonin në rajon, por ngushtësisht më gjerë dhe kur flitet për Shqipërinë është veçse në të mirën tonë kulturore”, u shpreh Muka./abcnews.al