Institucioni i Presidentit të Republikës organizoi në ambientet e tij, një mbrëmje të veçantë të kulturës gjirokastrite.
Në fjalën përshëndetëse, kreu i shtetit Ilir Meta vlerësoi se çdo pjesë e territorit shqiptar është e pasur me vlera dhe gjurmë të kulturës të çdo etape historike, e se këtë herë u përzgjodh Gjirokastra, për të promovuar simbolikisht larminë e pafund të vlerave tona etnokulturore.
“Gjirokastra ka pritur dhe organizuar për dekada Festivalin Folklorik Kombëtar, manifestimin më të madh folklorik të gjithë trevave shqiptare. Por duhet të theksojmë se Gjirokastra është edhe ndër pasuritë kulturore mijëravjeçare të Shqipërisë që renditen denjësisht edhe në thesarin e kulturës botërore,UNESCO”, tha Presidenti i Republikës.
Në prani të të ftuarve deputetë, autoritete vendore, përfaqësues të trupit diplomatik, artistë, këngëtarë, personalitete të etnografisë e kulturës, u çel ekspozita e piktorit Stavri Cati, e titulluar “Gjirokastra Etnografike” si dhe u promovua filmi dokumentar-artistik “Këngët e Kafenesë”./abcnews.al