Mblodhi 33 milionë paund për shëndetësinë në Britani, humb betejën me Covid veterani 100-vjeçar

schedule17:15 - 2 Shkurt, 2021

schedule 17:15 - 2 Shkurt, 2021

Veterani Tom Moore, i cili një vit më parë mblodhi 33 milionë paund për t’i ardhur në ndihmë Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Britaninë e Madhe në luftën kundër pandemisë, e ka humbur betejën me sëmundjen.

100-vjeçari vuante nga pneumonia ndërsa ishte i prekur edhe me Covid-19. Moore u shtrua në spitalin e Bedford më 31 janar.

Lajmin tragjik e bënë të ditur vajzat e tij Hannah Ingram-Moore dhe Lucy Teixeira në një deklaratë.

“Me trishtim të madh ne njoftojmë vdekjen e babait tonë të dashur, Kapiteni, Sir Tom Moore,” thuhej në deklaratë.

“Ne jemi shumë mirënjohës që ishim me të gjatë orëve të fundit të jetës së tij; Hannah, Benjie dhe Georgia pranë shtratit të tij dhe Lucy në FaceTime. Kemi kaluar orë të tëra duke biseduar me të, duke kujtuar fëmijërinë tonë dhe nënën tonë të mrekullueshme. Ne ndamë të qeshura dhe lot së bashku.”

Sir Tom, i cili shërbeu në Luftën e Dytë Botërore, u bë i njohur për shkak të qëndrimit të tij pozitiv dhe vendosmërisë për të përfunduar një sfidë për të bërë 100 xhiro rreth kopshtit të tij para se të mbushte 100 vjeç prillin e kaluar.

Ai fillimisht vendosi të mbledhë vetëm 1,000 £ për të mbështetur shërbimin shëndetësor, por misioni i tij u bë ndërkombëtar dhe donacionet u shtuan, duke e çuar totalin e tij përfundimtar në 32.7 milionë £. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!