Po sot është mbledhur edhe Senati Akademik nën drejtimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni. Në rendin e ditës janë dy pika, e para që ka lidhje me shqyrtimin e materialit të përcjellë nga grupi i punës i ngritur me vendim të Senatit Akademik për të kordinuar vlerësimin e akteve nënligjore të miratuara dhe shqyrtimin e kërkesës së bërë nga një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë.
Një grup i këtyre të fundit prej 3 javësh tashmë janë ngujuar në ambientet e brendshme të Fakultetit dhe kanë arritur që të bojkotojnë krejtësisht mësimin e studentëve të juridikut, të cilët pak ditë më parë gjetën si zgjidhje të vetme vijimin e mësimit gjatë pasditeve në ambientet e gjimnazit “Petro Nino Luarasi”. Studentët e Fakultetit të Drejtësisë kërkesave të tyre i kanë shtuar dhe shfuqizimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Ata kanë zhvilluar deri më tani dy takime me rektorin Koni, por pa gjetur zgjidhje për problemet e ngitura prej tyre./abcnews.al