Këtë të martë PD dhe LSI pas një jave bojkot do të rikthehet në tryezën e reformës zgjedhore. Mbledhja e Këshillit Politik do të zhvillohet në orën 11:00 ku mazhoranca dhe opozita brenda e jashtë parlamentare do të ulen për t’u dakordësuar për çështjet e shumta për të cilat ende nuk është gjendur konsensusi.
Një nga çështjet që kërkon zgjidhje është ajo e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor, ku PS nuk e pranon propozimin e PD për të përfshirë në këtë Kolegj gjyqtarë të apelit që janë në sistem, edhe pse nuk e kanë kaluar sitën e vettingut.
Arsyetimi i mazhorancës është që kolegji zgjedhor të qëndrojë siç është deri në 2022, deri sa të pastrohet sistemi gjyqësor nga të korruptuarit.
Një tjetër pikë ku palët ndahen është edhe ajo e financimit të partive politike. Të dy draftet si të mazhorancës dhe të opozitës së bashkuar kanë marrë kritika të ashpra nga Këshilli i Europës për mos adresimin siç duhet të rekomandimeve të ODIHR për financimet e partive politike si në kohë normale ashtu dhe në periudhat zgjedhore.
Ndër të tjera në këtë takim pritet që në takimet e radhës opozita jashtëpalamentare të propozojë draftin e saj përsa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa nuk ka shprehur asnjë qëndrim për propozimin e mazhorancës për të krijuar një institucion monokratik./abcnews.al