Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, Tabaku: Qeveria nuk ka prioritet integrimin

schedule10:47 - 20 Tetor, 2021

schedule 10:47 - 20 Tetor, 2021

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku në prani të Ambasadorit të BE, Luigi Soreca është shprehur në Këshillin Kombëtar të Integrimit, se Shqipëria ka shumë probleme që janë krijuar nga qeveria.

Sipas Tabakut, përgjegjësi kryesor për mos çeljen e negociatave është kryeministri Edi Rama pasi sipas saj nuk i ka mbushur kriteret.

Për Tabakun demokracia, mirëqenia ekonomike, të drejtat e njeriut janë në përkeqësim.

Fjala e Tabakut: 

Përshëndetje të gjithëve,

I nderuar Z. Ambasador,

E nderuar zonja Ministre, kolegë dhe të nderuar qytetarë

Së pari, më lejoni të falenderoj Komisionin, Delegacionin e BE të cilët nuk besoj të kenë qenë kaq mbështetës ndaj politikave të zgjerimit dhe kaq mirëkuptues edhe në mungesë të rezultateve konkrete. Qëllimi i tyre ka qenë mbështetja e aspiratave të shqiptarëve.

Këtë mesazh të qartë dhe të pa ekuivok e transmetuan tre momente kyçe të vjeshtës politike jo vetëm shqiptare por dhe të rajonit.

Vizita përmbyllëse e kancelares Angela Merkel në Tiranë, Samiti i Brdo dhe së fundi vizita e Von der Leyen dëshmuan jo vetëm mbështetjen politike për procesin e integrimit por edhe rrugëtimin që duhet të ndjekim.

Prandaj raportin e Komisionit Europian të Integrimit ju ftoj ta lexojmë nën këtë dritë e këndvështrim.

Ndjej përgjegjësi dhe detyrë në këtë pozicion sidomos sot në mbledhje e parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për këtë legjislaturë. Pasi dita e parë e jonë nis me progres raportin dhe gjithashtu me një mundësi për të rimarrë në dorë kontrollin mbikqyrës dhe këshillues që ky Këshill ka mbi procesin e integrimit.

Së dyti, dëshiroj të shpreh një falenderim të veçantë për Ambasadorin Soreca me të cilin kam komunikim thuajse të përditshëm në lidhje me atë që shkon keq në vendin tonë.

E vërteta është që jo rrallë kërkojmë nga ambasadorët për të zgjidhur gjëra që na takojnë ne, dhe presim shumë nga ata, por në fund të ditës çdo gjë varet nga ne e nuk duhet t’i përdorim ato për mburojë që t’i shpëtojmë krizave që i prodhojmë po vetë.

Gjithsesi, në momentet e vështira për vendin tonë BE ka dëshmuar që është shumë pranë nesh. Ndihma bujare prej 180 mln eurosh gjatë pandemisë dhe 115 mln euro të tjera për rindërtimin, qenë një shenjë jo pak e vogël për të na kujtuar që ne jemi më shumë se gjeografikisht në Europë. Një ndihmë që na përkujton se jemi një familje megjithëse ende jo brenda shtëpisë së madhe të BE.

Kjo do të thotë shumë për një vend si ne dhe për aspiratën tonë si komb. Por të gjithë duhet ta kemi të qartë se kjo mbështetje politike dhe financiare Europiane duhet të vendoset në funksion të vlerave europiane dhe afrimit me BE edhe jo politikave distancuese nga vlerat e saj.

Prandaj na takon ne, si Shqipëri, e mbi të gjitha këtij parlamenti që të ngrejë në lartësinë e duhur përgjegjësinë për këtë proces integrimi. Kaq shumë jetik për shqiptarët dhe kaq të dobishëm për vizionin strategjik të Shqipërisë.

Për 11 vite me radhë më është dashur të lexoj raporte të Komisionit ashtu që t’i përkthej herë si politika të qeverisë e më tej si dokument pune për të kërkuar llogari për punët e qeverisë.

Por unë besoj që nëse e lexojmë korrekt këtë raport do të shohim që Shqipëria nuk është fshati Potemkin që na pikturohet nga qeveria.

Nuk e kam pasur kurrë për kënaqësi të lexoj raporte ndërkombëtare që citojnë Shqipërinë me tregues të përkeqësuar, por ne duhet ta pranojmë të vërtetën dhe ta shohim në sy.

Unë pashë me shqetësim disa tregues të përkeqësuar dhe në këtë raport:

–         Integrimi Europian nuk është ndër prioritetet e kësaj qeverie
–         Shqetësime që lidhen me zgjedhjet dhe përdorimin e burimeve publike; dhe pandëshkueshmëria për krimet zgjedhore;
–         Transparencë e ulët në aktivitetin e qeverie dhe kjo shoqëruar me kufizimin e lirisë se medias është problem real për Shqipërinë
–         Lexova me shqetësim raportin e ËJP ku Shqipëria ka treguesit më të këqij në zbatim te ligjit nga 2015 dhe akoma nuk po shohim rezultate në drejtësinë e re.
–         Ne ndërmorëm një reformë në drejtësi për të shmangur presionin mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë, por fatkeqësisht ende sot në raportet ndërkombëtare e gjejmë të përmendet.
–         Korrupsioni, fatkeqësisht thotë raporti është i përhapur në të gjitha nivelet e jetës publike.
–         Megjithëse opozita e madje edhe vetë personalisht kam dërguar dosje dhe raste të qarta korruptive në krijesën më të re të drejtësisë, SPAK, kemi vërejtur një heshtje deri në atrofizim të këtij institucioni për këto çështje që prekin temën e ditës edhe në BE; sundimin e ligjit dhe korrupsionin.
–         Megjithëse problemi i Pastrimit të Parave qe një ëndërr e keqe për Shqipërinë prej më së paku 6 vitesh jemi rikthyer edhe një herë në hartë e zezë të monitorimit;
–         Pak vite pasi Gjykata Europiane e Auditit deklaroi se 1 në 3 tendera jepen pa garë mjedisi dhe realiteti nuk ka ndryshuar. Konkurrenca nuk është rritur, proceset vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe procedurat vazhdojnë të jenë sa për sy e faqe.

Nuk mund të kem kënaqësi kur raporte të rëndësisë së lartë ndërkombëtare raportojnë se vendi jonë është në nivelin e kapjes së shtetit.

Për mua është tejet problematike ku me ambasadorët e vendeve të BE, me gazetarë apo dhe me vetë z. Soreca kemi diskutuar mbi një tentativë të vazhdueshme të qeverisë për të privuar lirinë e mediave njësoj si në vendet me demokraci iliberale apo vendet autoritare.

Ne besojmë se procesi i integrimit nuk është një formular ku plotësohen disa kërkesa sa për të kaluar radhën. Përkundrazi ky proces është një hartë e përmisimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe mirëqenies së vendit jo vetëm ekonomikisht por edhe në kuadër të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Prandaj ndjej keqardhje që qeveria nuk e ka parë këtë si mundësi. Akoma më keqardhje ndjej kur qeveria nuk e konsideron si mundësi metodologjinë e re të ofruar nga Komisioni Europian.

Ne nuk mund të sajojmë një luftë apo armiqësi të paqena me faktorë të jashtëm ndërkohë që në 8 vite kemi lëvizur pak ose aspak në fushat kryesore.

Nga një analizë e pavarur e raportit vihet re se Shqipëria nga viti 2015 është në të njëjtët tregues për fushat kryesore të arritjes! Ndërkohë që ne mund ta kishim përdorur këtë kohë për të avancuar pavarësisht një date për të treguar që jemi gati!

Detyra jonë është që të drejtojmë këtë proces ndryshimi, jo për të plotësuar një listë, por për të sjellë ndryshim për qytetarët shqiptarë, një ndryshim që nuk po vjen!

Mirëpo duket se qeveria nuk ka të njëjtin mendim si ne këtu. Mund t’ju duket e habitshme por në programin e qeverisë nuk është se kishte ndonjë fjali për integrimin Europian të Shqipërisë.

Dhe me keqardhje them se sot nuk ka struktura të forta te ngritura, nuk ka një ekip serioz, ka negociator por që është pa portofol. Kjo sepse ka retorikë por nuk ka vullnet politik! Nuk ka vullnet politik pasi nuk ka asnjë vizion për të parë Shqipërinë në BE! Dhe këtë vullnet të munguar duhet ta rikthejmë ne këtu.

Prandaj ka ardhur koha të heqim dorë nga ballot, medaljet e festat për këtë proces dhe të jemi të sinqertë, të shohim njëri tjetrin në sy dhe të pranojmë që kjo është situata reale, ashtu si e përshkruan raporti!

Nëse ne dështojmë që të aplikojmë standartet e demokracisë mbi vendin tonë, nëse ne dështojmë të përmbushim detyrimet ndaj demokracisë atëherë e gjithë kjo përpjekje për integrim është e kotë.

Vlera europiane për mua është dhe mos-vjedhja e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe që më tej ngriti një sistem patronazhimi në nivel kombëtar që në raportin e ODIHR u fshikullua si një shkrirje e shtetit me partinë.

Sikundër e besoj se për çdo vend me një sens minimal demokracie, nuk do të ishim duke diskutuar për përdorimin e fondeve për të blerë votën sikundër raporti i OSBE-ODIHR raporton. Aq më tepër sot ku ne jemi dëshmitarë që për shumë më pak se kaq kryeministra janë dorëhequr.

Prandaj në këtë sallë dëshiroj që t’i bëj thirrje kolegëve të mi të përmbushim detyrimet që shqiptarët na kanë vendosur mbi shpatulla. Të mos flasim për vlerat EU por ti respektojmë e zbatojmë ato!

Kuvendi duhet dhe do të jetë një institucion që do të kërkojë llogari qeverisë dhe jo një zgjatim i saj.

Na takon ne që të ngrihemi në lartësinë e duhur për të punuar për shqiptarët dhe për të mundësuar realizimin e procesit të integrimit.

Duke ju falenderuar për vëmendjen po ftoj Z. Ambasador për të ndarë me ne, pikat kryesore të Raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.

/abcnews.al/