Mblidhet këshilli ekonomik, Veliaj: “Zogu I” do të kthehet në zonë tregtare

schedule15:11 - 18 Qershor, 2019

schedule 15:11 - 18 Qershor, 2019

Unaza e re, zgjerimi i Lanës dhe përfundimi i bulevardit te ri janë tre nga prioritetet e krybashkiakut të Tiranës Erion Veliaj njëkohësisht kandidati socialist për një mandat të dytë për kryeqytetin. Veliaj i prezantoi projektet gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik.

Bulevardi “Zogu i Parë” në Tiranë parashikohet të kthehet në zonë tregtare, por fillimisht segmenti nga ish-stacioni i trenit deri në sheshin “Skënderbej do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e bëri të ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik.

“Ne duam ta kthejmë në një distrikt shopping-u. Kjo është arsyeja pse duam të fillojmë investimin, që mos të dallojë cilësia nga sheshi “Skënderbej” deri tek Bulevardi i Ri, ku ka qenë stacioni i trenit. Tirana ka shumë atraksione në qendër, por nuk ka mjaftueshëm hapësira le të themi ajo që quhet “Walking street” pra rruga këmbësore, ku ti bën shooping-un dhe kalon kohë, ke të gjithë restorantet. Kush është në ato linja biznesi, si restorantet apo dyqanet e modës, do t’ju këshilloja sa s’ka filluar investimi, ky është momenti ideal për të investuar tek Zogu i I”.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka aplikuar pranë qeverisë për të kthyer në zonë të lirë ekonomike një sipërfaqe prej 60 hektarësh në Kashar. Sipas Veliajt drita jeshile për këtë projekt pritet të ndizet shumë shpejt.

“Jemi në prag të shpalljes dhe të aplikimit pranë qeverisë për atë që quhet zona ekonomike e Tiranës, ose me akronimin në anglisht TEDA. Kemi identifikuar një zonë 60 ha në Kashar. Po përfundojmë plan-biznesin për zonën e lirë ekonomike të Kasharit. Kemi parë disa nga modelet në Rumani, Maqedoni. Them që kemi marrë më të mirat nga këto modele”.

Ndërsa një treg agro-ushqimor parashikohet të ndërtohet në zonën e Lundrës. Veliaj thotë se nëse do të çojë para çdo projekt që krijon vende pune pavarësisht debatit politik.

“Dua t’ju garantoj për një gjë, që bashkë me kryeministrin , qeverinë, Bashkia e Tiranës është e vendosur që çdo projekt që ndihmon në hapjen e vendeve të punës dhe ekonomisë do të ecë përpara. Kjo përfshin Unazën e Re, zgjatimin e Lanës, bulevardin e ri, të gjitha frontet e punës që hapen për shqiptarët, duke garantuar trajtim social edhe të atyre që kanë shkelur ligjin, pra që kanë ndërtuar në gjurmë të bulevardit të ri apo Lanës, në gjurmë të Unazës së Madhe. Kush ka pronë do të marrë kompensim, kush ka nevojë për shtëpi, do të marrë shtëpi, siç e kanë marrë, më pas kush do të vijojë lojën e vet politike është i lirë ta bëjë, por nuk do ketë frenim të punëve”.

Krahas zgjerimit të Lanës në drejtim të Shkozës, lumi do të zgjerohet edhe në pjesën perëndimore paralel me zonën e njohur si Astiri./ABC News Albania 24/7