Manastirliu: Miratuam marrëveshjen për hapjen e degës së Kolegjit evropian, financojmë 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë

schedule12:32 - 17 Janar, 2024

schedule 12:32 - 17 Janar, 2024

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, është miratuar marrëveshja për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë. Duke folur për mediat, ministrja theksoi se qeveria do të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë.

“Kemi miratuar një vendim të rëndësishëm sa i përket dimensionit të arsimit të lartë, marrëveshjen që hap degën e Kolegjit të Evropës në Tiranë. Kampusi shënon një partneritet strategjik të Shqipërisë dhe institucioneve evropiane por nga ana tjetër, i hap mundësinë studentëve të Shqipërisë, dhe të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë për të studiuar në Tiranë. Dega e kolegjit do t’i hapë studimet për ciklin 2024-2025, në këtë vit akademik.

Qeveria është e angazhuar që nëpërmjet kësaj marrëveshje të iniciojë të gjitha aspektet për ndërtimin e kampusit dhe do të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë. Është një ngjarje historike, për herë të parë një filial i një kolegji prestigjioz hap degën e parë në Shqipëri, jo vetëm për çfarë do të sjellë në aspektin akademik në funksion të vizionit tonë për ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe vijimit të programeve tona sa i përket hapjes së filialeve prestigjioze.

Kampusi i kolegjit do të vijë duke sjellë edhe standardet e njëjta dhe duke u bërë vendi i tretë që hap këtë degë. Është një oportunitet i madh për studentët në Shqipëri por edhe për ato të rajonit. ”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu  sqaroi edhe cështejen e  shpërblimeve për atleten e njohur Luiza Gega. Manastirliu tha se atletja në dy vitet e fundit ka marrë 13 shpërblime në 10 gara ndërkombëtare dhe se do vijojnë ta mbështesin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!