Koronavirusi po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, me më shumë se 32 milion raste të konfirmuara në 188 vende dhe mbi një milion viktima në të gjithë botën.
Disa vende kanë shënuar rritje të rasteve të reja dhe disa të tjera që patën sukses në frenimin e shpërthimeve fillestare po shohin gjithashtu rritje të infeksioneve përsëri.
Cilat vende kanë parë rritje të rasteve dhe viktimave?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të arrijë në dy milion para se të kemi një vaksinë. Një numër rajonesh kanë parë rritje të rasteve të reja gjatë muajve të fundit, me Indinë që qëndron në krye për sa i përket të infektuarve në Azi, edhe për shkak të popullsisë së madhe, shkruan BBC.
Numri zyrtar i rasteve të konfirmuara në Indi ka arritur në gjashtë milion, numri i dytë më i lartë në botë pas SHBA-së. Virusi duket se po përhapet shumë më shpejt në Indi se në çdo vend tjetër, i cili regjistroi rreth 90,000 në 24 orë gjatë këtij muaji.
Rritja e rasteve vjen ndërsa qeveria ka filluar të reduktojë kufizimet në përpjekje për të nxitur ekonominë, por rritja është gjithashtu një reflektim i testimit në rritje. India ka mbajtur një normë relativisht të ulët të vdekjes, duke pasur parasysh numrin e popullsisë së saj.
Në Amerikën Latine, Brazili ka numrin më të lartë të vdekjeve, me më shumë se 140,000 deri më tani. Gjithashtu ka regjistruar më shumë se 4.7 milion raste, vendi i tretë me numrin më të lartë në botë. Rastet e sapo konfirmuara në rajon po rriten shpejt edhe në Argjentinë, e cila tani ka regjistruar më shumë se 700,000 raste.
Irani është prekur më shumë nga virusi në Lindjen e Mesme dhe javën e kaluar raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja që nga fillimi i qershorit. Iraku ka parë gjithashtu një rritje të vazhdueshme të rasteve. Rastet po vazhdojnë të rriten në Indonezi dhe vendi ka regjistruar më shumë se 10,000 viktima– numri më i lartë në Azinë Juglindore.
Afrika ka regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të konfirmuara, megjithëse nuk dihet përmasat e vërteta të pandemisë në kontinent. Shkalla e testimit raportohet të jetë e ulët. Afrika e Jugut dhe Egjipti kanë parë shpërthimet më të mëdha të regjistruara deri më tani në kontinent.
Rastet e koronavirusit po rriten përsëri në Europë
Disa vende europiane po regjistrojnë një numër në rritje të rasteve ditore mes frikës së një valë të dytë. Një numër vendesh në kontinentin e vjetër kanë vendosur përsëri bllokime dhe kufizime të tjera në rajonet e tyre më të prekura dhe qeveria ka bërë apel për të mbajtur maska fytyre dhe të respektojnë distancën sociale.
Modeli i rritjes së infeksioneve pas zbutjes së kufizimeve të bllokimit nuk është i kufizuar në Europë. Izraeli ka vendosur një bllokim të ri kombëtar pasi regjistroi një numër rekord të rasteve ditore ditët e fundit.
Vendet e tjera që kanë parë një ringjallje të virusit përfshijnë Rusinë, Perunë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Australinë – edhe pse pas rivendosjes së kufizimeve më të ashpra disa nga këto vende, tani po shohin rënie të rasteve. /abcnews.al

