Mbi 88 mijë të dypunësuar duhet të deklarojnë të ardhurat deri në 30 prill

schedule15:58 - 14 Prill, 2021

schedule 15:58 - 14 Prill, 2021

Nga Erblina Mile

88 mijë e 600 persona të cilët kanë punuar në më shumë se një punë gjatë 2020 kanë afat deri në 30 prill për të deklaruar të ardhurat e përfituara.

Alketa Çabej nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thekson se ky është një detyrim edhe për ata që kanë punuar në dy punë qoftë edhe për një muaj të vetëm. Por numri i deklaratave të dorëzuara deri tani mbetet shumë i ulët.

 

“Janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën individuale të tatimit mbi të ardhurat personale për vitin 2020 brenda afatit 30 prill të vitit 2021. Kanë detyrimin jo vetëm të dorëzojnë deklaratën, por edhe të paguajnë detyrimin e dalë nga rillogaritja e pagave dhe shpërblimeve”, sqaron ajo.

Në rast se individët nuk do të bëjnë vetëdeklarimin deri në  1 maj ata do të përballen me penalizime të cilat do të shkojnë  edhe më të larta se vetë tatimi që duhet të paguajnë.

“Është 5 mijë lekë të reja për individin, gjithashtu do të dalin edhe detyrime tatimore të cilat veç detyrimit të paguar do të ketë edhe kamat-vonesa që janë 0.06% për mospagim në kohë të detyrimit tatimor. Gjithashtu do të kenë edhe interes që është në masën 120% të interesit mesatar vjetor të Bankës së Shqipërisë”, tha më tej ajo.

Për të lehtësuar qytetarët është parashikuar që përllogaritja e tatimit të bëhet automatikisht nga sistemi tatimor.

“Pasi regjistrohet, ku jep edhe të dhënat e tij personale del deklarata individuale vjetore e të ardhurave”, tha më tej Çabej.

Tatimi i të vetpunësuarve pritet të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga tatimi zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, atëherë do të tatohen për diferencën me 23% duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit.

Ndërkohë nëse një person është i punësuar në dy vende me pagë 30 mijë lekë dhe paguan tatim zero, tashmë të ardhurat do të bashkohen dhe do të paguajë 13% për njërën nga pagat për 12 muajt e vitit 2020.

Tatimi mbi të dypunësuarit

PAGA 1   30 MIJË LEKË         0 TATIM

PAGA 2    30 MIJË LEKË           13% TATIM

Numri i të dypunësuarve

TOTAL                                                       –   88.641 PERSONA

KANË DORËZUAR DEKLARATËN           – 2641 PERSONA

/abcnews.al/