Mbi 600 mijë qytetarë libanezë të zhvendosur nga luftimet janë kthyer në shtëpitë e tyre pas armëpushimit të fundit të arritur në fund të qershorit mes Izraelit dhe Hezbollahut, bëri të ditur sot Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Sipas IOM, gjatë konfliktit më shumë se një milion persona u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të përshkallëzimit të luftimeve dhe sulmeve në jug të Libanit.
Përplasjet nisën më 2 mars, kur Hezbollahu ndërmori sulme ndaj Izraelit, duke deklaruar se vepronte si hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit gjatë sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Republikës Islamike, në konfliktin që shpërtheu më 28 shkurt.
Në përgjigje, Izraeli zhvilloi një fushatë intensive sulmesh ajrore dhe operacione tokësore, ndërsa lëshoi urdhra evakuimi për zona të tëra të Libanit jugor. Luftimet zgjatën për më shumë se tre muaj, duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe zhvendosje masive të popullsisë.
Kthimi i qindra mijëra banorëve konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të situatës, megjithëse organizatat humanitare paralajmërojnë se shumë zona vazhdojnë të kenë nevoja të mëdha për rindërtim dhe ndihmë.



