Mbi 20 mijë të rinj pajisen me Kartën e Studentit

schedule14:10 - 8 Korrik, 2019

schedule 14:10 - 8 Korrik, 2019

Mbi 20 mijë studentë nga universitetet e Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit. Por sipas Bashkisë së Tiranës, një risi në këtë proces është edhe pajisja me kartë e studentëve të Akademisë së Sigurisë në Tiranë.

 Më shumë se 20 mijë studentë nga universitetet e Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit, duke përfituar mbi 100 shërbime publike dhe private falas ose me çmime të reduktuara. Këtë e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se për herë të parë edhe studentët e Akademisë së Sigurisë në Tiranë kanë nisur të pajisen me kartën e studentit.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë:Besoj se deri nga mesi i korrikut do e kemi përfunduar pajisjen e studentëve tuaj me karta, ndërkohë që në total në gjithë Tiranën kemi shpërndarë mbi 20 mijë copë. Sot, shumë kompani, duke filluar nga qendrat e mëdha të shoppingut, deri tek dyqanet e vogla të kancelarisë, madje edhe ndonjë berber apo floktore, i janë bashkuar nismës, duke vendosur një stiker te dritarja, për të treguar se e pranojnë kartën e studentit dhe aty ka ulje për ta. Dua t’i falënderoj të gjithë privatët që na janë bashkuar. Jam shumë i lumtur që Bashkia e Tiranës e ofron këtë shërbim edhe për studentët e Akademisë së Sigurisë”.

Edhe Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj falënderoi Bashkinë e Tiranës për pajisjen me karta të studentëve të Akademisë së Sigurisë. Procesi i pajisjes me Kartën e Studentit në Akademinë e Sigurisë ka nisur prej datës 24 Qershor dhe deri më tani atë e kanë marrë rreth 150 studentë nga 325 që janë në total./ABC News Albania 24/7