Europa duket se po kalon valën e dytë të COVID-19. Franca, është një nga shtetet që po shënon rritje të numrit të rasteve, ku raportohet se 17% e testeve të realizuara në rajonin e Ile-de-France, ku bën pjesë dhe Parisi, kanë rezultuar pozitivë. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i agjencisë rajonale të shëndetit Ars, Aurélien Rousseau.
Referuar situatës, Presidenti Emmanuel Macron njofton se do t’i drejtohet kombit Francez të mërkurën, ndërsa Kryeministri Jean Castex i ka kërkuar popullit që të mos dorëzohet në luftën kundër koronavirusit.
“Ne nuk mund të dorëzohemi ”, – ka thënë tha ai duke njoftuar një version të ri të aplikacionit StopCovid, ekuivalenti francez i aplikacionit italian Immuni. “Francezët menduan që ky virus ishte zhdukur. Realiteti është se vala e dytë është këtu mes nesh “, paralajmëroi kryeministri francez.
Numri i viktimave është 32 mijë e 730 në total. Aktualisht 12 rajone janë në gjendje maksimale alarmi, ndërsa qeveria paralajmëron shpalljen e gjendjes së emergjencës nëse situata përkeqësohet.
Autoritetet shëndetësore franceze kanë përfshirë Montpellier (në jug) dhe Toulouse (në jug-lindje) midis zonave me gatishmëri të lartë, të cilat tashmë përfshijnë Parisin, Marsejën, Aix-en-Provence, Grenoble, Lille, Lyon, Saint-Etienne dhe ishullin Guadalupe./abcnews.al