“Mbështetje përmes bursave dhe pagave”, Manastirliu: Objektiv, rritja e interesit për degët e mësuesisë

schedule18:48 - 7 Mars, 2024

schedule 18:48 - 7 Mars, 2024

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu deklaroi se objektivi kryesor është rritja e interesit të të rinjve për të ndjekur degët e mësuesisë. Në intervistën për gazetarin Arlind Isa, ajo deklaroi se këtë do ta bëjnë duke ofruar bursa për studentët dhe me programin për rritjen e pagave të mësuesve.

Duke u ndalur tek paga mesatare për mësuesit, që qeveria ka premtuar se do të shkojë në 950 euro, ministrja shtoi se mbështetja përmes këtij programi, do të vazhdojë për arsimtarët.

“Nuk kemi sot një emergjencë në nivel kombëtar sa i përket lëvizjes në lidhje me mësuesit por puna jonë është në disa drejtime edhe në aspektin e fuqizimit të rolit të mësuesit por edhe interesit për të zgjedhur mësuesinë tek të rinjtë, ndaj ne kemi fokusuar punën edhe në mbështetjen te degët të mësuesisë, dhe atyre prioritare që do t’i duhen tregut të punës për të ndërtuar kapitalin njerëzor dhe intelektual.  Kemi programe që mbështesin nëpërmjet bursave sa paga minimale studentë që ndjekin programet e mësuesisë por edhe të tjera me interes kombëtar. Synojmë ta përmirësojmë hap pas hapi por interesi për të ndjekur degët e mësuesisë është një prej atyre objektivave tona, për të rritur këtë interes, që përpos programeve përmes bursave, ka rëndësi edhe për cilësi dhe financim të mbështetjes nëpërmjet pagave.

Prandaj programi që kemi prezantuar në fund të janarit parashikon jo vetmë aspektin që lidhet me edukimin në vazhdim të mësuesve por edhe rishikim të kuadrit që lidhet me shkallët e karrierës dhe kualifikimet e mësuesve dhe lidhjen e kualifikimeve të mësuesve me incetivimet financiare përkatëse.  Ky vit do të jetë edhe viti ku do të kemi rritje të konsiderueshme të pagave për mësuesit, do të jenë rreth 30 mijë që do të përfitojnë. Ne synojmë që paga mesatare në rang vendi të jetë 900 euro ndërsa për mësuesit të jetë 950 euro. Ne do të vijojmë t’i mbështesim. Kjo rritje, ashtu sikurse kryeministri Rama e ka premtuar, do të ndodhë në korrik.

Konsiderohet si një ndër rritjet më të mëdha në këto vite dhe nuk do të ndalemi këtu edhe sa i përket mbështetjes për mësuesit pasi edhe aspekti që lidhet me rishikimin e të gjithë kornizës së kualifikimeve dhe shkallëve të karrierës së mësuesve dhe rolet e tyre në shkollë do të jetë një tjetër strategji e jona.”, tha ministrja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!