TIRANË– Një ndër kapitujt më të integrimit, bujqësia, mund të sjellë përfitime të mëdha për fermerët e përgatitur por mund të jetë edhe një sfidë e pamundur për ata që nuk janë gati. Kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunimin e prodhuesve për përmbushjen e detyrave, të cilat nuk janë vetëm në parim, por duhet të zbatohen.
“Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu siç është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standardet dhe kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë dhe siguria e produkteve, kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e BE-së”
Duke u ndalur tek transformim i sektorit gjatë dekadës së fundit, Rama tha se numri i fermerëve që kanë përfituar mbështetje është rritur nga 5 mijë në 67 mijë. Hapi i radhës është rritja e subvencioneve.
“Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe deficiti tregtar ishte një katastrofë unike në rajon. Ndërkohë sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro. Deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe synimi ynë është të shkojmë në 1 me 2. Mbështetjen e drejtpërdrejtë duam ta çojmë ne 100 milionë euro”, tha ai.
Në përmbushje të këtij angazhimi, qeveria ka ngritur portalin Euro Agro Albania, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për fermerët dhe operatorët e sektorit në çdo hap të procesit të negociatave dhe të rrugës drejt anëtarësimit në BE.
“Një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja”, tha ai.
Ndërsa një këshillë e pati edhe për prodhuesit që synojnë tregun europian.
“Mos lini ditë të kalojë pa investuar te mendja e kompanisë, fuqia njerëzore, pa trajnuar dhe përditësuar dijen. Mos lini ditë të kalojë pa sjellë në kompani diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit sepse dija është ajo që kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e menjëhershëm të hapjes së dyerve të BE”
/abcnews.al


