Mbërrin në Presidencë ligji i ndryshuar për Teatrin, Meta pa tagër për kthimin e tij

schedule18:08 - 25 Shtator, 2018

schedule 18:08 - 25 Shtator, 2018

Ka mbërritur ditën e hënë në Presidencë ligji për Teatrin Kombëtar, ai i ndryshuar në seancën parlamentare të 20 shtatorit përmes amendamenteve të njoftuara nga komisioni i veprimtarive prodhuese. Ndryshe nga hera e parë, ligjin që kërkon shembjen e godinës së teatrit dhe ndërtimin e një godine të re sëbashku me zonën urbane përreth, Presidenti i vendit nuk ka më tagër ta kthejë. Kjo pasi ky ligj i ndryshuar mban të njëjtin numër me atë të mëparshëm, i cili u kthye me dekret presidencial në Kuvend për rishqyrtim. Sipas Kushtetutës Presidenti ka të drejtë të kthejë një ligj vetëm një herë.

Mazhoranca pasi pranoi dekretin e presidentit që kthente ligjin si antikushtetues, antiligjor dhe në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, njëkohësisht miratoi ndryshime të neneve specifike të ligjit. Për demokratët kjo procedurë është në shkelje të rregullores pasi nëse një ligj rrëzohet në tërësi me dekret presidencial, atëherë nuk ka më lligj mbi të cilin të depozitosh amendamente. Opozita akuzoi socialistët se arsyeja e shkeljes së procedurës është pikërisht që ligji të mos kthehet dot me nga Presidenti, sot i vetmi organ institucional që mund të kthejë një ligj, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Por socialistët këmbëngulën se kuvendi ka precedent të rasteve të tilla dhe vijuan me miratimin e ligjit mbi të cilin sot Presidenti ka vetëm dy mundësi, ose të shpallë ligjin, ose të qëndrojë i heshtur duke lejuar shpalljen automatike të tij pas 20 ditëve nga paraqitja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!