Mbërrijnë vaksinat kineze, por po mbarojnë Sputnik dhe AstraZeneca

schedule15:47 - 24 Maj, 2021

schedule 15:47 - 24 Maj, 2021

Nga Ema Shazivari

Ardhja e 60 mijë dozave të vaksinës kineze Sinovac, është reflektuar edhe në sheshin “Skënderbej”.

Edhe pse të pakët në numër, qytetarët e kanë marr dozën e dytë pa qëndruar në radhë.

Drejtuesja e procesit të vaksinimit, Erida Nelaj, shpjegon për “ABC” se çfarë do të ndodhë me dozat e ardhura.

“60 mijë dozat e ardhura dje janë shpërndarë duke filluar që dje dhe mëngjesin e sotëm në të gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe nga andej në qendrat shëndetësore apo pikat e vaksinimit qendrore. Të gjithë ata që kanë marrë dozën  e parë dhe kanë mbetur për dozën e dytë nuk duhet të shqetësohen sepse vaksina ka.

Aktualisht po përdoret vetëm për dozën e dytë në mënyrë që të mbulohen të gjithë me dy doza. Që nga dita e sotme në sheshin “Skënderbej ka pasur vaksina dhe deri nga ora 10:00 ishin bërë rreth 500 vaksinime”, sqaroi ajo.

Astra Zeneca dhe Sputnik, janë drejt përfundimit, por sasia e mbetur po përdoret për dozën e parë.

Kjo pasi nuk ka rëndësi koha kur merret doza e dytë për këto vaksina.

Pfizer nga ana tjetër po përdoret vetëm për persona me sëmundje të rëndë, pasi stafet mjekësore tashmë janë vaksinuar.

“Me Pfizer ka vaksinime në pika të caktuara për persona me sëmundje specifike. Këta thirren nga mjekët e familjes dhe do të doja mirëkuptimin e qytetarëve që e dinë se do të thirren sepse janë njoftuar nga mjekët e familjes, që të presin ditën e njoftimin për të mos shkaktuar grumbullime”, tha më tej ajo.

ISHP është në pritje të 500 mijë dozave të vaksinës kineze. Pavarësisht se nuk ka një afat se kur do të vijnë. Kjo sasi do të përdoret për vaksinim masiv, dhe do të ulet fasha moshore.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!