Një ngjarje tepër e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës në Nanterre të Francës, ku një polic goditi për vdekje me armë zjarri, një adoleshent 17-vjeçar, pasi ky i fundit nuk pranoi të ndalonte përballë një patrulle policie.
Pas këtij incidenti, trazirat filluan në periferi të Parisit, me demonstruesit që u vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe makinave, hodhën fishekzjarre në automjetet e urgjencës dhe ngritën barrikada në rrugë.
Për të shpërndarë turmën e acaruar, policia përdori gaz lotsjellës e plumba gome dhe deri më tani janë proceduar penalisht 15 persona, mirëpo protestuesit nuk kanë ndërmend të ndalojnë aktet e tyre në kryeqytetin francez.
Një koment të shkurtër, mbi këtë ngjarje tragjike e ka bërë dhe “ylli” i futbollit francez, Kylian Mbappe, i cili me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Tëitter”, ngushëllon familjen e 17-vjeçarit për humbjen e saj, si dhe shton se i vjen keq për Francën e tij.
“Më vjen keq për Francën time. Ngjarje e papranueshme. Ngushëllimet e mia për familjen dhe njerëzit e dashur të Naelit, këtij engjëlli të vogël që u largua shumë shpejt”,- ka shkruar në postimin e tij “ylli” francez. /i.m /abcnews.al
Postimi i plotë i Kylian Mbappe:
J’ai mal à ma France. ?????
Une situation inacceptable.
Tout mes pensées vont pour la famille et les proches de Naël, ce petit ange parti beaucoup trop tôt.— Kylian Mbappé (@KMbappe) June 28, 2023