Kylian Mbape nuk do të jetë në fushë për Francën ndaj Shqipërisë, në ndeshjen eliminatore të Europianit. Kampioni i botës u dëmtua në ligën franceze, dhe nuk rikuperohet dot deri në 7 Shtator.
Qenka fillim sezoni i dëmtimeve të mëdha. Nëse në Spanjë, Barça është ende pa treshen e sulmit Mesi-Suarez-Dembele, në Francë mungojnë po ashtu dy yje kryesorë nga kampionët. Edinson Kavani dhe Kylian Mbappe dolën nga fusha të dëmtuar në ndeshjen në “Parc de Princes” ndaj Tuluzës në Ligën e Parë.
Alarmi ishte i madh dhe u konfirmua kur u morën vesh kohët e mungesës së dy protagonistëve. Mbappe do të jetë jashtë fushe nga 3 javë deri në 1 muaj, ndërsa Kavani duhet të pushojë gjithashtu 3 javë.
Kjo do të thotë se Mbappe nuk do të jetë i gatshëm për Francën ndaj Shqipërisë, në ndeshjen eliminatore të Euro 2020, që do të luhet në 7 Shtator në “Stade de France” në Paris.
Ndaj Tuluzës, më parë u lëndua sulmuesi uruguaian, dhe pas tij edhe kampioni i botës i Francës, në minutën e 66-të. Goditja e marrë nga Kavani u ndje në skuadër, ashtu siç po ndihet konflikti me Neymarin dhe mungesa e tij, aq sa golat e fitores erdhën relativisht vonë.
Erik Çupo-Moting hapi serinë e rrjetave në 50’, por pastaj ishte më e lehtë. Gonsalves shkaktoi autogol në 55’, Di Maria humbi penallti në 71’, Çupo-Moting realizoi për 3-0 në 75’ dhe Marquinhos vulosi rezultatin 4-0 në minutën e 83-të.
Në mungesë të Kavanit e Mbappesë, çdo të bëhet me Neymarin?
Do të vazhdojë afrimi i tij me drejtuesit parizienë, tani që ekipi ka më shumë se kurrë nevojë për të?
Ka mundësi edhe që të ndodhë kështu, dhe braziliani të mbetet tek PSG-ja. Trajneri Tomas Tuchel u pyet pas ndeshjes se përse po ndodhin kaq shumë dëmtime në ekip.
“Unë jam duke kërkuar arsyet se përse po ndodh, – tha gjermani, – do të vazhdoj të kërkoj që të kuptoj këtë epidemi dëmtimesh”.
Parizenët kanë humbur plot gjashtë lojtarë për shkak lëndimi gjatë këtij fillim sezoni, përfshi Mbappenë, Kavanin, Herrerën apo Drakslerin./ABC News Albania 24/7