Për klasin dhe talentin e tij askush nuk dyshonte. Pikëpyetjet e vetme mbi Kylian Mbappe pas transferimit te tij te Real Madrid lidheshin me ambjentimin e tij.
Por ato janë shuar në sezonin e dytë me fanelën “merengues” të sulmuesit francez, i cili është kthyer në liderin e vërtetë të skuadrës madrilene.
Numrat nuk gënjejnë dhe ata flasin për një edicion rekord për Mbappe.
Më shumë se kaq, ai duket se po bën që në “Santiago Bernabeu” të harrohet Cristiano Ronaldo.
Sulmuesi francez ka shënuar gol në 11 ndeshje radhazi në këtë sezon në të gjitha kompeticionet.
Nëse përsërit të njëjtën gjë edhe në sfidën e së mërkurës në Champions League kundër Juventus, atëherë ai do të barazonte rekordin e Cristiano Ronaldo, i vetmi që ka arritur të realizojë gol në 12 ndeshje radhazi në kohën kur luante me Real Madrid.
Po ashtu, me këtë ecuri Kylian Mbappe ka vendosur në shenjestër të tjerë rekorde personale dhe jo vetëm, ndërsa objektiv janë edhe trofetë e parë të mëdhenj me Real Madrid, si titulli kampion në La Liga dhe mbi të gjitha Champion League që I mungon në karrierën e tij./abcnews.al


