Mbahet konferenca mbi tregun e medias audiovizive

schedule16:21 - 3 Maj, 2019

schedule 16:21 - 3 Maj, 2019

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, në Tiranë u mbajt një konferencë për tregun e medias audiovizive. Veç të tjerash në të u paraqitën edhe rezultatet e një sondazhi të departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Interneti dhe rrjetet sociale po rivalizojnë ndjeshëm  televizionin në vitet e fundit. Ky ishte një nga gjetjet e sondazhit të realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin Histori Filologji në Universitetin e Tiranës.

Rezultatet u publikuan në një tryeze të mbajtur në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi theksoi se mediat duhet të mbrojnë të drejtat e çdo individi dhe të garantojnë privatësinë e tyre.

Vasilika Hysi: Për të ofruar programe që janë në interesin më të lartë të tyre. Që garantojnë dhe respektojnë të drejtën e jetës private. Të mos lejohen transmetimet që nxisin intolerancë, gjuhën e urrejtjes mes shoqërisë.

Kreu i AMA-s, Gentian Sala deklaroi se ky institucioni  po bën një punë ndryshe në vitet e fundit.

Gentian Sala, kreu i AMA-s: Në punën tonë 5-vjeçare si Autoritet për dy gjëra jam krenar. E para që Autoritetin e kemi futur në një hulli normale pune. E dyta që jam krenar është bashkëpunimi me aktorë jo të rrethit të ngushtë dhe grupeve të interesit, por aktorë në fushën e kërkimit shkencor ku vendin e parë me krenari e them zë Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit.

Dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit përkon këtë vit me 20-vjetorin e themelimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!