Mazniku për aksionin e ujit: Çdo person që bën lidhje të paligjshme, do ndëshkohet

schedule14:51 - 3 Shkurt, 2018

schedule 14:51 - 3 Shkurt, 2018

Aksioni kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm vazhdon edhe në Tiranë.

Mbi 100 biznese i nënshtrohen cdo ditë kontrollit të Task Forcës së Ujësjellës Kanalizimeve.

Zona e Dajtit është një pikat problematike të shpërdorimit të ujit të pijshëm. Jo vetëm për shfrytëzimin por edhe për tregëtimin në kundërshtim me ligjin.

“Aksioni i UKT ka filluar sistematikisht nga data 1 shkurt, për një inspektim të detajuar të të gjitha bizneseve dhe identifikimin e lidhjeve të paligjshme apo mënyrën se si konsumohet uji. Kemi në terren 9 grupe pune, të cilët shkojnë në bizneset kryesore, duke plotësuar edhe formularët e vetë-deklarimeve. Bëhen rreth 100 inspektime çdo ditë”

 

Gjatë tri ditëve të para të këtij aksioni janë ndërprerë një numër lidhjesh të paligjshme të bizneseve me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që ndaj abuzuesve janë marrë masa ligjore. Mazniku siguroi se ky aksion do të vijojë në mënyrë të rregullt gjatë muajit shkurt, derisa të garantohet që të gjitha lidhjet me rrjetin e ujësjellësit të jenë në përputhje me ligjin.

 

“Jemi të vendosur që ky aksion të vijojë dhe në fund të procesit, çdo person i cili gjendet që ka lidhje të paligjshme, do të ndëshkohet ashtu siç ligji e kërkon. Do të sigurohemi që ky shërbim të ofrohet në mënyrë sa më qytetare, sa më profesionale për të gjitha ato biznese që janë të rregullt dhe funksionojnë brenda të gjithë kuadrit ligjor”

 

Mazniku u bëri thirrje konsumatorëve familjarë që të shfrytëzojnë afatin e ri të vendosur nga qeveria, për të vendosur lidhje të ligjshme dhe për të nënshkruar kontratat e reja me UKT.

 

“Është shtyrë deri në fund të muajit shkurt mundësia që u është dhënë qytetarëve që të vijnë pranë zyrave të UKT, që janë të hapura me orare të zgjatura gjatë kësaj kohe, për të formalizuar lidhjen e tyre, ose nëse kanë pagesa të prapambetura të Ujësjellësit, për të bërë një marrëveshje me UKT e për të pasur mundësi të kryejnë pagesat nëpërmjet një marrëveshje për ta paguar atë në kohë dhe me këste”

 

Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla u shpreh i kënaqur me treguesit e arritur gjatë këtyre tre ditëve, ku vihet re një ndërgjegjësim nga ana e bizneseve për të formalizuar lidhjet e tyre dhe për të shlyer detyrimet e prapambetura për sasinë e ujit të shfrytëzuar./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!