Mazhoranca bie dakord me draftin e Alibeajt: Në tre raundet e para, kandidati për President propozohet vetëm nga opozita

schedule11:25 - 18 Maj, 2022

schedule 11:25 - 18 Maj, 2022

Mazhoranca ka rënë dakord me draftin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, për kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Kjo do të thotë se në tre raundet e para, ekskluzivitetin për të propozuar kandidatë do ta ketë vetëm opozita dhe më pas në të katërtin e të pestin mazhoranca mund të shohë nëse do që të bëjë propozime.

Ajo që pritet tashmë është që opozita të ulet në negociata, të sigurojë firmat e nevojshme për të propozuar kandidatë dhe më pas do të shihet sesi do të gjykohen kandidaturat, nëse do të jenë disa të tilla.

Ekskluziviteti i propozimit të kandidatëve nga opozita në tre raundet e para  ishte kushti i panegociueshëm që Alibeaj kishte për mazhorancën. Në të kundërt, është shprehur ai, i gjithë procesi do të ishte i pakuptimte, një farsë.

“Nuk kemi besim te ju. E pranoni këtë dokument? Po apo jo? Tre raundet e para, propozimi të jetë i opozitës. Pikë! Asgjë më shumë.”

Ishte Taulant Balla ai që më pas i tha opozitës se kishin arritur në një marrëveshje dhe se deri në raundin e tretë, propozimet do të jenë vetëm të opozitës. Kujtojmë se që takimi i sotëm të jetë para kamerave u dakordësua dje mes Enkelejd Alibeaj dhe grupit negociator socialist Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Ndërkohë, që raundi i parë dështoi pa asnjë emër të propozuar për votim.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra sëfundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!