Maturantëve iu mungon mendimi origjinal

schedule15:36 - 2 Korrik, 2019

schedule 15:36 - 2 Korrik, 2019

Nota mesatare e maturanteve në testin e gjuhës shqipe e letërsisë dhe atë të matematikës këtë vit nuk e ka kaluar gjashtën. Sipas specialistëve të arsimit gjimazistët mbyllin shkollën e mesme pa u formuar për të pasur një mendim origjinal. 

Të rinjtë në vendin tonë dalin nga gjimnazi pa u formuar për të pasur një mendim personal për ndodhi të caktuara. Kjo del në pah ndërsa analizon rezultatet e provimit të maturës shtetërore në gjuhë shqipe dhe letërsi.

Nga rreth 36 mijë maturantë që iu nënshtruan testit 1800 nuk arritën ta kalojnë atë. Mungoi 10 e plotë ndërsa nota mesatare sipas përllogaritjeve të Qendrës së Shërbimeve Arsimore është 6.10.

“Nuk jemi me 10.00 për arsye sepse është shumë kollaj të humbasësh një pikë qoftë në ese, qoftë në pyetje argumentuese apo interpretuese. Një pjesë e mirë e maurantëve kanë gabuar në pyetjet e nivelit të lartë, ku natyrshëm i kërkohet mendim origjinal, mendim personal, ku bazohet në mënyrën se si ata e kanë kuptuar pjesën. Ata maturantë të cilët nuk kanë mundur të bindin korrigjuesit me formulimin e ideve të tyre, por idetë e tyre kanë qenë sipërfaqësore, kanë qenë të pabazuara, të pailustruara, të pambështetura, normalisht ata kanë humbur pikë”, tha Rezana Vrapi, drejtoreshë e Qendrës së Shërbimeve Arsimore

Problemi në këndvështrimin e specialistëve të arsimit është kompleks.

“Mund të jetë problem i mënyrës se si ka punuar me klasën, mund të jetë problem i vetë cilësisë së këtij mësuesi”, tha Vrapi.

Në matematikë nuk munguan dhjetat e plota. Testin nuk e kaluan rreth 2 mijë nxënës, ndërsa nota mesatare është 6.30. Ndryshe paraqitet situata sa i përket lëndeve me zgjedhje ku mesatarja përllogaritet 7.37. Një situatë e pritshme sipas specialistëve pasi maturantet provohen aty ku ndjehen më të sigurtë. Më të mirët zgjedhin lëndët ekzakte.

“Si cilësi maturantësh zakonisht ata përzgjedhin lëndët shkencore. Pra maturantët më të mirë, pa i paragjykuar, por si grup më i madh janë lëndë të tilla, si kimia, biologjia apo fizika, duke patur parasysh që janë si lëndë edhe në kriteret përzgjedhëse në degë të tilla siç janë mjekësia apo inxhinieritë. Grupin më të madh të lëndëve e kanë patur qytetaria apo psikologjia”, theksoi Vrapi.

Lëndët shoqërore i kanë përzgjedhur rreth 12 mijë maturantë një pjesë e të cilëve sipas drejtoreshës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore janë vlerësuar dhe me pikët maksimale./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!