Gjimnazistët që mbyllin këtë vit shkollën e mesme për provimet e maturës mund të konsultojnë testet model të cilat janë publikuar në faqen online të Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
“I kemi nxjerrë këto teste me qëllim për të parë modelin e pyetjeve, formatin e pyetjeve dhe për të provuar veten para 2 qershorit që do ketë provimin e parë. QSHA ka marrë të gjitha masat për ngritjen e grupeve të hartuesve të tezave. Mësues të kualifikuar me mbi 20 vite eksperiencë me vlerësim shumë të mira apo shkëlqyeshëm. Testet e maturës organizohen sipas një standardi ku 80% është e nivelit mestar dhe 20% nivel i lartë”, theksoi zëvendësministrja e Arsimit Orjana Osmani.
Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren me ndryshimet e nevojshme për procesin e maturës shtetërore. Drejtuesit e shkollave nuk duhet të presin qershorin për të publikuar emrat e nxënësve të cilët për shkak të rezultateve nuk mund ti nënshtrohen provimeve të maturës.
“Ata mund të rezultojnë mbetës në 1, 2 apo 3 lëndë dhe ndaj komunikimi do të jetë më I hershëm dhe nuk do të jenë të pranishëm në provimet e maturës. Në vitet e mëparshme maturantët që nuk e përfundonin me sukses vitin e tretë të shkollës së mesme sidomos në provimet e para kanë qënë të përfshirë në listën e shkollës dhe ne duam të mos krijojmë asnjë keqkuptim”, nënvizoi Osmani.
Provimet parashikohet të zhvillohen në mjedise të mëdha. Një mësues do të monitorojë jo më shumë se 15 nxënës të cilëve iu ndalohet marrja e e pajisjeve elektronike me vete.
“Secili nga administratorët apo përgjegjësit e administrimit që janë prezent aty ku ndodh shkelja e rregullores së maturës patjetër që do ketë penalizim. Sigurisht rregullorja e ka të përcaktuar qartë, komision disiplinor që mblidhet dhe merr masë për këdo që nuk e ka zbatuar rregulloren. Për maturantët është e qartë që marrja e një pajisje elektronike me vetë bën që ai të përjashtohet direkt nga mjediset e provimit. Sigurisht do të ketë masa në hyrje të maturës për të kontrolluar maturantët nëse kanë objekte të palejuara”, tha ajo.
Provimeve të maturës këtë vit pritet ti nënshtrohen rreth 26 mijë maturantë. Ato nisin me gjuhën e huaj me 2 qershor, shtatë ditë me pas vijojnë me gjuhën shqipe dhe letërsinë, me 16 qershor me matematikën dhe mbyllen me 23 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.
PROVIMET E MATURES
2 qershor gjuha e huaj
9 qershor gjuha shqipe dhe letërsia
16 qershor matematika
23 qershor lënda me zgjedhje


