Shmangia e shtrëngimit të duarve është një ndër këshillat kryesore, por shumë qytetare edhe pas lajmit të mbërritjes së koronavirusit, në Tiranë e neglizhojnë.
Të paktë janë ata të cilët e respektojnë rekomandimin e dezinfektimit të duarve.
Shmangia e ambjenteve të mbipopulluara dhe minimizimi i transportit publik, kryesisht i autobusëve është një tjetër këshillë, e cila edhe kjo dukshëm nuk zbatohet nga qytetarët.
Disa vendosin maska, të tjerë në vend të saj përdorin shallin, si masë mbrojtëse .
“E kemi shumë larg, frikë kemi”, shprehet një qytetare.
“Në një ambient të populluar një maskë mund ta mbash dy orë, maska në farmaci nuk ka. Autobusët nuk i shmangim dot”,
Mungesa e informacionit i bën të jenë të guximshëm. Qytetarët e pyetur thonë se nuk kanë frikë.
“Nuk kam frikë. Nuk është problem”, shprehet një nga qytetarët.
Ndërkohë një tjetër qytetar thotë: “I ka marrë të gjitha masat qeveria dhe ne pleqve nuk na kap.”
“Ne të mëdhenjtë bëjmë hall, por fëmijët duhen mbrojtur me çdo kusht”, thotë një i moshuar.
Ndërkohë që më të informuar duken nxënësit e shkollave.
“Kanë ardhur disa specilistë, dhe na kanë këshilluar të kujdesemi për higjenën.”
Vendimi për mbylljen e shkollave bëri që prindërit të merrnin fëmijët më herët se zakonisht këtë të hënë, ku edhe mësimi u zhvillua me orë të shkurtuara.
Ndërsa kjo studente preferon të lërë Tiranën, pasi rreziku sipas saj është më i madh në kryeqytet për shkak të mbipopullimit.
“Do të largohemi, në Tiranë nuk do të rri do të kthehem në shtëpi”, shprehet një studente./abcnews.al