Mashtruan me skemën e TVSH-së/ Durrës, lëshohen urdhërarreste për disa drejtues biznesesh në fushën e ndërtimit

schedule10:02 - 15 Tetor, 2024

schedule 10:02 - 15 Tetor, 2024

Skemë mashtrimi me TVSH-në me dëm 127 milionë lekë, Prokuroria e Durrësit lëshon urdhërarreste për drejtuesit e bizneseve të ndërtimit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kërkoi caktimin e masës ‘Arrest me burg’ për katër shtetas të cilët drejtojnë biznese në Fushë Krujë pasi hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me TVSH-në, duke i shkaktuar shtetit një dëm në vlerën 127,551,874 lekë.

Prokuroria në bashkëpunim me oficerët e hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve zbuluan skemën e mashtrimi me TVSH-në në të cilën përfshiheshin të paktën gjashtë subjekte që operonin në fushën e ndërtimit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka verifikuar shitjet e subjektit “R S”, i cili ka vetëdeklaruar në vlerë total shitjeje prej 286,301,702 lekësh për periudhën Dhjetor 2023 dhe subjektit “L”, që ka vetëdeklaruar një total shitje 162,302,300 lekë gjatë Dhjetorit të vitit 2023. Në total, këto subjekte kanë kryer shitje që përllogaritet në 448,604,002 lekë, vlera për të cilat Prokuroria dyshon të jenë fiktive dhe janë faturuar te subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit “3D C” dhe I.V FP.

Administrata tatimore ka kryer verifikimin e faturave të deklaruara, shitjet totale, historikun e punësimit të shoqërive të ndërtimit dhe marrëdhëniet me bizneset e tjera. Nga analizimi i të dhënave të deklaruara si shitjet totale për çdo subjekt, është kryer llogaritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe Tatimi Fitimi për çdo subjekti, dhe ka rezultuar në total një dëm i shkaktuar ndaj shtetit në vlerën 127,551,874 lekë.

Pas hetimeve të kryera Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për caktimin e masës “arrest me burg” për katër shtetas të cilët drejtonin bizneset me adresë në Fushë-Krujë, ndërsa ka kërkuar “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për tre shtetas/se të tjerë.

Gjithashtu grupet hetimore kanë kryer verifikimet e pajisjeve dhe automjeteve që zotëronin shoqëritë e ndërtimit nga ku ka rezultuar se subjekti “3D C” kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes benz AMG 63, Mercedes benz AMG GT 43, PorscheCayenne, Land Rover apo BMË X5. Asnjë prej këtyre automjeteve nuk përdoret për aktivitetin e ndërtimit.