Ka shkuar në 9 numri i denoncimeve për 64 vjeçaren Violeta Petro, e cila dy ditë më parë u prangos nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka mashtruar biznesmenë duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, UNICEF.
Vetëm ditën e mërkurë në drejtorinë e policisë janë paraqiture edhe dy persona të tjerë, duke e kallëzuar për mashtrim në emër të Violeta Petros. Gruaja 64 vjeçare hiqej si pjesë e fondacionit të huaj, duke mashtruar biznesmenë se për t’u bërë pjesë e projekteve të tyre, kryesisht me çerdhe për fëmijë e azile pleqsh, fillimisht duhet të paguanin nga 1% të vlerës që do të shkonte ndërtesa. Ndërkohë në dëshminë e saj, Petro ka mohuar të ketë mashtruar njeri, por duke mos i dhënë policisë asnjë argument bindës. 64 vjeçarja akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve. /ABC News Albania 24/7