Mashtronin të huajt me bursa fiktive/ Tiranë, goditet një tjetër Call Center. 6 në pranga

schedule10:33 - 2 Shkurt, 2025

schedule 10:33 - 2 Shkurt, 2025

Një tjetër rast mashtrimi përmes bursave fiktive është goditur nga sektori i hetimit të krimit ekonomik në bashkëpuunim me forcat operacionale të policisë së Tiranës. Në pranga janë vënë 6 të rinj, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Gjatë operacionit, u zbulua një ambient i përshtatur si call-center, me anë të cilit mashtroheshin shtetas të huaj, përmes telefonit.

Të rinjtë e moshës nga 20 deri në 30 vjeç gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e policisë janë kapur në flagrancë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive me qëllim për të rimarrë paratë që këta kishin humbur më parë po me të njëjtën mënyrë mashtrimi.

Këtë aktivitet të arrestuarit e ushtronin në ambientin e përshtatur si call-center në rrugën “Dritan Hoxha”.

Policia sekuestroi pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe prova të tjera materiale.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i kanë kaluar tashmë prokurorisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!