Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Olsi Vasku 35 vjeç, dhe Admir Behari 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur si call center. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe, përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive.

