Masat për sezonin/ Rama thirrje të rinjve: Kemi hyrë në “Champions League” e turizmit, duhet të konsolidohemi më tej

schedule12:36 - 29 Prill, 2024

schedule 12:36 - 29 Prill, 2024

SHQIPËRI– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës që mbajti në prezantimin e masave për sezonin turistik, tha se Shqipëria ka hyrë seriozisht në garë dhe po konkurron denjësisht me vendet, të cilat kanë histori dhe traditë në këtë drejtim.

Ai tha se Shqipëria duhet të bëjë gjithçka, që industrinë e turizmit ta zhvillojë dhe ta çojë drejt konsolidimit.

“Sot ne kemi hyrë në “Champions League” në konkurrencën e turizmit. Ky është një moment historik, por edhe sfidash të gjithanshme, kemi hyrë në Champions League, por ne duhet të mbetemi në Champions League. Ne nuk e kemi konsoliduar pozicionin tonë, jo vetëm ta konsolidojmë, por duhet të jemi më konkurrues”, tha ai.

Shefi i qeverisë shqiptare apeloi tek të rinjtë shqiptarë, të cilëve u kërkoi të zgjedhin sektorin e turizmit në Shqipëri, pasi sipas tij, ky profil do t’u sigurojë atyre punë dhe paga të konsiderueshme.

“Dua ta shfrytëzoj këtë moment, të rinjve dhe të rejave që janë jashtë dhe punojnë në sektorin e turizmit ju them: pse shkoni aje, çfarë kërkoni atje? Sot të gjitha hotelet janë vende të lira, dhe kanë nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar. Pse e lini këtë boshllëk? Ashtu sikundër ju them të tjerëve, që historinë e pagave e dëgjojnë nga muhabete dhe ta provojnë të shkojnë të trokasin tek hotelet dhe të shohin se ka për ta mundësi punësimi, por sigurisht mundësia e punësimit në turizmit sot nuk është asgjë me mendësinë e turizmit sot e pasnesër duke marrë parasysh se sa shumë investime janë në proces miratimesh nga sipërmarrja private. Deri në 2030, fuqia e industrisë turistike do të shumëfishohet dhe kapaciteti pagues do të shumëfishohet. Kjo është pak, por e sigurt. “, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!