Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar ka reaguar pas vendosjes së masave të rrepta anti-covid në kufi nga ana e Kosovës. Në një deklaratë për mediat, FEMSH thotë se janë ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit me fqinjin verilindor.
Në reagim thuhet se masat e vendosura për hyrjet dhe daljet e qytetarëve në Kosovë vështirësojnë dukshëm lirinë e lëvizjes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë duke qenë se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm nga doza e dytë (6 muaj) dhe kryerja e testit të RT-PCR i ngarkon me një kosto shtesë financiare të gjithë qytetarët, sidomos ata që kanë hyrje-dalje të shpeshta me Republikën e Kosovës.
“Masa e marrë nga Qeveria, në kufizimin e orarit për lejimin e aktivitetit të gastronomisë deri në orën 21:00 nuk bënë gjë tjetër veçse rëndon akoma dhe më shumë këtë sektor si dhe ndikon në uljen e volumit të shitjeve duke cënuar rëndë të gjitha bizneset që operojnë me këtë sektor. Referuar Organizatës Botërorë të Tregtisë ku përcakton se, rimëkëmbja do të jetë më e shpejtë, nëse vendet i mbajnë tregjet e hapura, nuk vendosin barriera dhe veprojnë së bashku, faktit konkret ku vendet e mëdha të Evropës si Anglia, Franca, Spanja tashmë po i lehtësojnë masat kufizuese në vendet e tyre si dhe rekomandimit të fundit të Organizatë Botërore të Shëndetësisë ku shprehet qartë se ndalimet ndërkombëtare të udhëtimit duhet të lehtësohen ose të hiqen krejtësisht, ky vendim i Qeverisë së Kosovës, në këto kohë, nuk sjell gjë tjetër veçse pengon lirinë e lëvizjes dhe tregtisë së lirë,” thuhet në reagim.
FEMSH i bën thirrje Kosovës që të rishqyrtojë vendimin në mënyrë që të mos pengohet qarkullimi i lirë i qytetarëve në rajon dhe të mos dëmtohet më tej sektori i gastronomisë.
Kujtojmë se për t’u futur në Kosovë me rregullat e reja tashmë kërkohet që të jesh i vaksinuar me tre doza të vaksinës kundër Covid-19 ose të kesh një certefikatë vaksinimi me dy doza kundër COVID-19 bashkë me testin RT-PCR negative jo më herët se 48 orë para nisjes.
Masat kanë sjellë reagimin e qytetarëve të cilët paraditen e së hënës kanë tentuar që të bllokojnë rrugën në Morinë duke u përplasur kështu edhe me policinë. /abcnews.al/