Nga Maksi Rama
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vënë në fuqi masat e reja anti-covid prej ditë së enjte që të minimizohet përhapja e koronavirusit në të gjithë vendin.
ABC bëri një vëzhgim në kryeqytet dhe vihet re një neglizhencë e qytetarëve në respektimin e masave.
Transporti publik, baret dhe kafenetë mbeten sërish vende ku ka më shumë grumbullime.
Nëpër rrugët e kryeqytetit nuk mungojnë ata që neglizhojnë përdorimin e maskës edhe pse është e detyrueshme
Më të ndërgjegjësuar në respektimin e masave anti-covid janë kryesisht mosha e tretë.
“Unë mbroj vetën, nuk mbroj as Edi Ramën, as Bashën e as Metën”, shprehet një qytetar.
Ekspertët transportin publik e kanë konsideruar si përhapës të infeksionit, e pavarësisht kësaj autobusët vijojnë të qarkullojnë plot me pasagjerë
Këtë shqetësim e shprehin dhe vetë qytetarët për ABC
“Është plotë. Mëngjesi sidomos pasi lëvizim për në punë, nuk hipet në autobus, pasi është reduktuar edhe orari i autobusëve dhe aty është plot”, tregon një qytetare.
Grumbullimet nëpër tavolinat e kafeneve mbeten shqetësim pavarësisht shtrëngimit të masave nga qeveria
Për të ndërgjegjësuar dhe ndëshkuar qytetarët për mosvënien e maskës, efektivët e policisë i gjen pothuajse kudo
Por në një kohë që policia po ndëshkon qytetarët e pabindur, një gjë e tillë duket se nuk ndodh për gjobitjen e kolegeve të tyre si në këtë rast, ku shfaqet edhe polici pa maskë.
/abcnews.al/