Masakroi fqinjin me sëpatë në pazarin e Korçës, autori me kartelë nga Psikiatria

schedule18:52 - 28 Janar, 2020

schedule 18:52 - 28 Janar, 2020

Një ngjarje makabër është regjistruar mesditën e së martës në qytetin e Korçës. Një tregtar është masakruar me sëpatë në kokë në sytë e bashkëshortes teksa shiste banane në Pazarin e Vjetër të Korçës. Burime të Abc News thanë se  autori vuan nga çrregullime mendore dhe se kurohej në psikiatri.

Viktima Dashnor Osmani 50 vjeç nga Poscesta ndëroi jetën në vend nga plagët e marra. Autori i dyshuar, Zamir Topi u përpoq të largohet nga vendngjarja por policia arriti ta arrestojë në një rrugë më poshtë se pazari. Një prej tregtarëve flet e tronditur për ngjarjen e paprecedente.

“Nuk isha në momentin kur e vranë, kur erdha dëgjova njerëzit që ulërinin”, shprehet tregtarja.

“ABC News” zbardh dëshminë e autorit të krimit makabër. Mësohet se 42 vjeçari Zamir Topi prej kohesh ka qenë në konflikt me Dashnorin për eshtrat e nënës.

Ai ka thënë në polici se i kishte thënë shumë herë Dashnorit të largonte eshtrat e nënës së tij të vendosur në varrin e nënës së Zamirit. Ai më tej thotë se edhe një ditë më parë e kishte paralajmëruar dhe ai i kishte thenë se nuk i lëviz eshtrat dhe këtë do ta bëjë vetëm kur të vdesë.

Në kushtet e ngarkesës psikologjike për shkak të refuzimit të Dashnorit, Zamiri me vetëdijë kishte blerë një sopatë me lekët e fundit që kishte në xhep dhe e goditi në mes të pazarit të Korçës.

Zamiri me sa duket është penduar në çast pasi uroi që ai të mos kishte ndërruar jetë, pasi nuk e dinte që me rreth 10 goditje në kokë me sëpatë i kishte marrë jetën Dashnorit. Mësohet se autori vuan nga çrregullime mendore dhe se kurohej në psikiatri. Gjithashtu bëhet e ditur se policia ka shkuar në banesën e Zamir Topit ku po kryen kontrolle dhe ka shoqëruar edhe të afërmit e autorit./abcnews.al

*Në foto: viktima Dashnor Osmani