Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Masakra në Sidnej/ Izraeli akuzon qeverinë australiane për heshtje ndaj antisemitizmit, dyshime se u përfshi Irani

schedule18:22 - 14 Dhjetor, 2025

schedule 18:22 - 14 Dhjetor, 2025

Zyrtarët izraelitë reaguan me shpejtësi pas sulmit të përgjakshëm me armë zjarri në Sidney të Australisë, duke ia hedhur përgjegjësinë qeverisë australiane. Sipas tyre, autoritetet kanë injoruar për një kohë të gjatë “shenja të panumërta paralajmëruese” të rritjes së antisemitizmit në vend.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, lexoi gjatë një mbledhjeje qeveritare një letër që i kishte dërguar më herët këtë vit kryeministrit australian, Anthony Albanese, pas deklarimit të mbështetjes së tij për krijimin e një shteti palestinez.

“Thirrja juaj për një shtet palestinez hedh benzinë mbi zjarrin e antisemitizmit. Ajo shpërblen terroristët e Hamasit, inkurajon ata që kërcënojnë hebrenjtë australianë dhe nxit urrejtjen ndaj hebrenjve që po përhapet në rrugët tuaja. Antisemitizmi është një sëmundje e rrezikshme. Ai përhapet kur udhëheqësit heshtin dhe tërhiqet kur ata veprojnë. Ju bëj thirrje të zëvendësoni dobësinë me veprim dhe pajtimin me vendosmëri”, tha Netanyahu.

Sipas tij, kryeministri australian ka bërë krejt të kundërtën.

“Ju e zëvendësuat dobësinë me më shumë dobësi, Qeveria juaj nuk bëri asgjë për të ndalur përhapjen e antisemitizmit në Australi. Nuk ndërmorët asnjë veprim dhe e latë këtë sëmundje të përhapet. Rezultati janë sulmet e tmerrshme ndaj hebrenjve që pamë sot”, ka thënë Netanyahu, raporton Fox News.

Edhe presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, dhe ministri i Jashtëm, Gideon Saar, reaguan ashpër pas sulmit të sotëm, ku u vranë të paktën 11 persona dhe u plagosën 29 të tjerë.

“Përsëritëm vazhdimisht thirrjet ndaj qeverisë australiane për të vepruar dhe për të luftuar valën e madhe të antisemitizmit që ka pushtuar shoqërinë australiane”, shkroi Herzog në rrjetet sociale, duke publikuar edhe një fotografi të një shalli lutjeje të njollosur me gjak.

Ministri i Jashtëm Saar ishte edhe më kritik, duke deklaruar se autoritetet australiane kanë shpërfillur shenjat e qarta të rritjes së ekstremizmit dhe urrejtjes ndaj hebrenjve.

“Jam i tronditur nga sulmi me armë zjarri gjatë një aktiviteti të Hanukës në Sidney. Ky është rezultat i shpërthimit të antisemitizmit në rrugët e Australisë gjatë 2 viteve të fundit, përfshirë thirrjet nxitëse si ‘Globalizoni Intifadën’, të cilat sot u kthyen në veprim”, tha Saar.

Ai shtoi se “qeveria australiane, e cila ka marrë paralajmërime të panumërta, duhet të reflektojë”.

Sipas policisë australiane, në sulm morën pjesë të paktën dy persona të armatosur, të cilët shënjestruan një aktivitet hebre të quajtur “Hanuka buzë detit”, i mbajtur në plazhin e njohur Bondi në Sidney. Njëri nga autorët e dyshuar u vra gjatë sulmit, ndërsa tjetri ndodhet i shtruar në spital.

Autoritetet po hetojnë mundësinë që të ketë pasur edhe një autor të tretë.

Policia bëri të ditur gjithashtu se pranë vendit të ngjarjes, në një automjet, janë gjetur prova që tregojnë për praninë e disa mjeteve shpërthyese të improvizuara.

Irani pas sulmit?

Sipas mediave dhe zyrtarëve të sigurisë në Izrael, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që sulmi mund të jetë orkestruar nga një shtet, me Iranin si të dyshuar kryesor, ose nga grupe si Hezbollah, Hamas dhe Lashkar-e-Taiba. Aktiviteti i Iranit dhe aleatëve të tij kundër objektivave izraelite dhe hebre në botë raportohet se është rritur dukshëm muajt e fundit. Megjithatë, autoritetet australiane nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë, ndërsa hetimet vijojnë.

/ abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!