Presidenti Donald Trump ka deklaruar se është i hapur për ndryshimin e ligjit të armëve. Pak ditë nga masakra e Floridës, Trump është shprehur pro forcimit të kontrollit të personave që pajisen me armë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetjen e tij për përmirësimin e kontrolleve bazë për pajisjen me armë. Në një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë thuhet se kreu i shtetit mbështet përpjekjet për forcimin e sistemit të kontrollit që parashikohet për blerjen e pistoletave dhe pushkëve. Bazë për këtë ndërveprim, thuhet në deklaratë, mund të jetë një ligj dypartiak i prezantuar vitin e kaluar në Senat.
“Teksa po zhvillohen diskutime dhe po shqyrtohen ndryshime, presidenti mbështet përpjekjet për përmirësimin e sistemit federal të kontrollit”, ka deklaruar zëdhënësja Sarah Sanders.
Reagimi i presidentit vjen pasi autoritetet deklaruan se i dyshuari për masakrën e javës së kaluar në Florida kishte blerë armë në mënyrë ligjore. Në ditët e fundit, studentët e shkollës ku mbetën të vrarë 17 persona, protestuan duke u bërë thirrje ligjvënësve që të ndërmarrin një reformë për kontrollin e armëve.
Sistemi amerikan i kontrollit aktualisht bazohet në raportimet që zyrat federale bëjnë për personat e dënuar apo me probleme mendore, të cilëve u ndalohet blerja e armëve. Por dështimi i sistemit doli në pah vitin e kaluar pasi autoritetet pranuan se nuk kishin njoftuar rastin e një të dënuari për dhunë në familje, i cili qëlloi dhe la të vdekur 26 persona në një kishë të Teksasit./abcnews.al