Masakra në Dobraç, Proda: Shumë shpejt do kemi rezultate konkrete

schedule13:52 - 13 Nëntor, 2024

schedule 13:52 - 13 Nëntor, 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi të mërkurën, se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për masakrën e Dobraçit në Shkodër, ku u vranë 4 persona, dy prej tyre kalimtarë të rastësishëm në vendngjarje.

“Unë me garanci po ju them që shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete. Sikur të kisha shkopin magjik ta ktheja kohën pas besoj të gjithë nga ne do ta kishin vënë dorën në zemër për të mos ndodhur, por ajo që ka ndodhur është fakt, tani na duhet të përballemi me këtë”, u shpreh Proda.

Kryepolici ishte në Komisionin parlamentar për Sigurinë ku u diskutua për projekt buxhetin e policisë për vitin 2025. Proda kërkoi një shtesë fondesh për të rinovuar dhe shtuar automjetet e policisë.

“Automjetet me qira, kanë një kosto shumë të madhe. Dhe një pjesë e madhe janë amortizuar. Do ishte më mirë të kishim mjetet tona. Na duhen rreth 700 automjete”, tha Proda.

Sa i takon emërimit të drejtorëve në 12 qarqe të vendit, drejtori i Përgjithshëm, garantoi se në listën përfundimtare janë perzgjedhur oficerë me kontribute të larta.

“Nuk më vjen mirë që diskutohet që grupet kriminale kanë mundësi të emërojnë këtë apo atë drejtor. Po më duket vetja sikur edhe konkursi për përzgjedhjen time është bërë tek 313 –a me këtë histori që vazhdon ata janë të gjithë oficerë me një karrierë të gjatë me kontribute.”

“Unë kam kaluar filtrin e të gjitha institucioneve për tu zgjedhur drejtor. Unë kam qenë oficer i zyrës së vrasjeve kur ju keni qenë ministër i Brendshëm dhe ka qenë viti me numrin më të lartë të vrasjeve në Shqipëri, por unë nuk iu gjej juve përgjegjës, e gjej përgjegjësinë të vetja që kam qenë i paaftë t’i parandaloj dhe i paaftë për të zbuluar shumicën prej tyre.”

Për vitin 2025, buxheti i Policisë së Shtetit pritet të jetë 25.3 miliardë lekë. Ne fokus do te jene disa projekte investimesh, mes tyre “Smart City”, për monitorimin e rrugëve kryesore me kamera inteligjente, pagesat e prapambetura të policisë dhe rritja e kapaciteteve për të luftuar krimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!