Me rastin e 15-vjetorit të masakrës së 21 Janarit, avokati Arbër Hoxha, i ftuar në “Tirana Live” në BAC Neës, e cilësoi këtë ngjarje si më të rëndën që ka ndodhur ndonjëherë në vend. Sipas tij, të gjitha provat tregojnë se bëhet fjalë për një vrasje me dashje, indirekte, dhe për një krim shtetëror.
Hoxha theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të çojë hetimin deri në fund, duke nënvizuar se zbardhja e plotë e ngjarjes lidhet me vullnetin institucional dhe jo me mungesën e provave. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi shkeljen e ligjit për përdorimin e armëve gjatë protestës, duke theksuar se armët lejohen vetëm në raste të veçanta, kur protestuesit janë të armatosur.
“Ngjarja e 21 Janarit është ngjarja më e rëndë e ndodhur ndonjëherë. Të gjitha provat të çojnë që kemi të bëjmë me një vrasje me dashje, indirekte. Kemi të bëjmë me një krim shtetëror. Unë mendoj që Prokuroria e Posaçme duhet të jetë në fund të hetimit. Basha duhet të ishte personi kyç, për t’i çuar te Berisha dhe zinxhiri komandues i gardës.
Nëse Basha do të tregohej i qartë do të kishim një zbardhje të ngjarjes, do të kishim një drejtësi të vonuar, por jo të harruar. Pse është shkelur ligji i përdorimit të armëve?! Sepse armët mund të përdoren në raste të veçanta, vetëm kur protestuesve janë të armatosur. Çështja nuk është aq komplekse sa është paraqitur. Është një krim shtetëror. Është një çështje vullneti dhe jo provash. Nuk besoj që situata është kaq komplekse”, tha avokati Hoxha.


