Një prej kapitujve më të errët të historisë së shqiptarëve rikthehet në vëmendje përmes dokumenteve të ruajtura në Arkivat e Vatikanit. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për ABC e Mëngjesit, kërkuesja Nusha Zhuba prezanton librin e saj më të ri, të ndërtuar mbi relacionet dhe letrat e ipeshkvit Lazër Mjeda, një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të tragjedive që përjetuan shqiptarët në fillimshekullin XX.
Në raportet që ai i dërgonte Selisë së Shenjtë, Lazër Mjeda nuk shfaqet vetëm si klerik, por si kronikani i vuajtjeve të popullit të tij. Ai përshkruan me hollësi masakrat, djegiet e fshatrave, plaçkitjet dhe dhunën sistematike të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë viteve 1911–1922.
Rrëfimet janë tronditëse. Sipas dëshmive të kohës, forcat serbe hynin në fshatra për të grabitur, për të djegur shtëpi e pasuri dhe për të lënë pas vetëm rrënoja. Në dokumente përshkruhen edhe skena makabre të vrasjeve të burrave, grave dhe fëmijëve, ndërsa në disa raste thuhet se fëmijëve u pritej qafa, pasi ushtarëve u kishin mbaruar plumbat.
Përmes letrave të tij, Mjeda kërkonte që Vatikani dhe Evropa të ndërhynin për të shpëtuar shqiptarët, të cilët, sipas tij, po vdisnin nga uria dhe dhuna. Në Konferencën e Mirditës në vitin 1909, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kërkuan ndihmë konkrete për hapjen e shkollave, ndërtimin e rrugëve dhe mbështetjen e popullsisë së braktisur.
Një pjesë e këtyre korrespondencave ranë në duart e autoriteteve ruse, të cilat njoftuan Perandorinë Osmane. Pasojat ishin të rënda: burgosje, ndjekje dhe presione ndaj atyre që kërkonin ndihmë për shqiptarët.
Për shkak të rrethanave politike dhe presionit të vazhdueshëm, Lazër Mjeda u largua nga Kosova dhe u dërgua në Shkup, ku vazhdoi misionin e tij duke hapur shkolla, mbështetur spitalet dhe duke investuar në arsimimin e djemve dhe vajzave, një hap tepër përparimtar për kohën.
Në dokumente përmendet edhe kundërshtimi i Beogradit që një ipeshkëv shqiptar, veçanërisht nga Shkodra, të drejtonte dioqezën, pasi kleri katolik shqiptar shihej si pengesë për planet politike në Kosovë.
Mes episodeve më domethënëse është edhe tentativa për ndërtimin e një kishe në Gjakovë, ku kujtohet qëndrimi i Bajram Currit, të cilit i atribuohet shprehja: “Ne kemi 16 xhamia, t’ju falim një kishë.” Një mesazh që simbolizon bashkëjetesën dhe solidaritetin ndërfetar shqiptar.
Libri i Nusha Zhubës sjell në dritë jo vetëm dokumente të panjohura, por edhe një dëshmi të fuqishme historike mbi vuajtjet, rezistencën dhe përpjekjet e shqiptarëve për të mbijetuar në një nga periudhat më dramatike të historisë së tyre. Përmes zërit të Lazër Mjedës, Arkivat e Vatikanit rikthejnë në kujtesë ngjarje që nuk duhen harruar.



