Masakër në Ukrainë/ Sulmet me raketa ruse lanë të paktën 34 të vdekur dhe 117 të plagosur

schedule22:39 - 14 Prill, 2025

schedule 22:39 - 14 Prill, 2025

Të paktën 34 persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën dhe 117 të tjerë u plagosën, si pasojë e një sulmi të rëndë me raketa nga forcat ruse në qytetin Sumy, në verilindje të Ukrainës. Mes të plagosurve raportohet se janë 15 fëmijë, përfshirë një vajzë të porsalindur këtë vit, bëri të ditur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Ministria e Jashtme e Ukrainës reagoi ashpër, duke deklaruar se “madje edhe të sapolindurit janë objektiv i krimeve të Rusisë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi ashpër sulmin, duke e quajtur një akt barbar:

“Vetëm maskarenjtë mund të veprojnë kështu. Nevojitet një reagim i ashpër nga bota. Rusia dëshiron pikërisht këtë lloj terrori dhe po e zvarrit këtë luftë. Pa presion ndaj agresorit, paqja është e pamundur.”
“Bisedimet nuk i kanë ndalur kurrë raketat balistike dhe bombat nga ajri. Duhet një qëndrim ndaj Rusisë, ashtu si ndaj një terroristi.”

Zelenskyy publikoi në rrjetin social Telegram pamje tronditëse nga vendngjarja, ku shfaqen trupa të pajetë në rrugët e qytetit, pranë një autobusi të shkatërruar.

Sipas Andriy Kovalenko, drejtues i Qendrës për Kundër-Dezinformim në Ukrainë, sulmi ndodhi menjëherë pas një vizite në Moskë nga i dërguari amerikan Steve Ëitkoff, duke ngritur pikëpyetje mbi kohën dhe qëllimin e goditjes.

Në një deklaratë të dhënë të dielën në mbrëmje, Presidenti amerikan Donald Trump tha se është duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

“Mendoj se ishte e tmerrshme dhe më thanë që ishte një gabim, por mendoj se është një gjë e tmerrshme. Mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme,” tha ai.

Kjo ngjarje përbën një nga sulmet më të rënda ndaj civilëve në muajt e fundit dhe pritet të nxisë reagime të ashpra në nivel ndërkombëtar, ndërsa thirrjet për sanksione të reja ndaj Rusisë po shtohen.

/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!