Masa për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit

schedule15:29 - 4 Mars, 2018

schedule 15:29 - 4 Mars, 2018

311 shtetas shqiptarë janë kapur dy muajt e parë të këtij viti për kalim të paligjshëm të kufirit. Të dhënat janë publikuar nga departamenti për kufirin dhe migracionin, sipas të cilit, kontrollet në kufi janë shpeshtuar edhe ndaj atyre që kanë mangësi në dokumentacione.

“Është intensifikuar mbikqyrja e kufirit për parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit. Gjatë periudhës 01 Janar – 28 Shkurt 2018 janë kapur 311 shtetas shqiptar për kalim të paligjshëm të kufirit, dhe janë proceduar 45 shtetas me dokumente udhëtimi të falsifikuara”, njofton departamenti për kufirin dhe migracionin.

Po për të njëjtën periudhë janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore 9 raste për veprën penale “Braktisjen e të miturve” në ngarkim të prindërve ose kujdestarëve që kanë braktisur fëmijët.

Të gjitha këto masa janë zbatuar për të parandaluar fenomenin e azilkërkimit por edhe të evidentimit dhe goditjes së paligjshmërisë.

Në drejtim të kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror,
për periudhën 1 Janar – 28 Shkurt 2018, janë prapësuar nga Policia Kufitare në Pikat e Kalimit Kufitar 3307 shtetas, nga këta 246 minorenë.

Në bashkëpunim me Frontex dhe me vendet e destinacionit, Policia Kufitare ka kryer dy muajt e parë të këtij viti 156 operacione me 1044 shtetas të kthyer.
Për periudhën 01 Janar – 28 Shkurt 2018 janë trajtuar 31 kërkesa dhe janë riatdhesuar 21 të mitur. /abcnews.al