Laert Haxhiu është njohur të premten me dy masat e arrstit në burg të caktuara nga Gjykata e Posaçme. Seanca e parë u mbajt në orën 10, ku 32-vjeçari u njoh me masën e parë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në tetor të 2017-tës ku humbën jetën në një atentat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi si dhe mbetën të plagosur dy persona të tjerë.
Për këtë ngjarje Haxhiu në shkallë të parë është dënuar me burgim të përjetshëm. Disa minuta më vonë, Haxhiu në një seancë tjetër të zhvilluar me dyer të mbyllura është njohur me masën e dytë të arrestit të dhënë ndaj tij në mungesë pas deklarimeve të Artan Tafanit i penduar i drejtësisë që e lidh 32-vjeçarin me disja vrasje dhe ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend.
Haxhiu nuk ka pranuar të japë sqarime, por nërpërmjet avokatit të tij Detar Hysi ka pretenduar se dëshmia e Tafanit nuk është e vërtetë dhe ai nuk ka njohje me të penduarin.
Haxhiu u ekstradua 2 ditë më parë nga Greqia dhe tashmë do të përballet me disa akuza, nga ajo e vrasjes, grup I strukturuar krimianal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
Kush është Laert Haxhiu
I konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në vend dhe në të njëjtën kohë nga më të kërkuarit gjatë viteve të fundit Laert Haxhiu tashmë do të përballet me drejtësinë shqiptare. Ai u ndalua në Greqi në maj të vitit të kaluar, pasi ishte në kërkim për një vrasje të mbetur në tentative në vitin 2016-të në qytetin e Lushnjës për të cilën ishte dënuar me 18 vite burg.
Bëhet fjalë për plagosjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares i njohur edhe si kreu i bandës së Lushnjës. Sipas hetimeve, konflikti mes Laert Haxhiut dhe Xhulio Shkurtit kishte për bazë hakmarrjen mes grupeve rivale që operonin në qytetin e Lushnjës. Ndërsa në 12 tetor 2017, Haxhiu u përfshi në atë që njihet si masakra e Lushnjës, ku u vranë Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe u plagosën 2 të tjerë. Edhe në këtë ngjarje, sipas Prokurorisë objektivi ishte të vritej Xhulio Shkurtit, rivali i Laert Haxhiut.
Për këtë ngjarje, gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Apeli, dënuan me burgim të përjetshëm bashkëpunëtorët e tij, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. Ndërsa në muajin prill, gjykata e posaçme e dënoi në mungesë burgim të përjetshëm edhe Laet Hxhiun si personin kryesor në lidhje me atentatin ku mbetën 2 të vrarë e dy të plagosur.
Në kohën që Haxhiu mbahej i arrestuar në Greqi, në vendin tonë u arrestuan disa persona mes të cilëve edhe Artan Tafani që tregoi se kishte bashkëpuanur me 32-vjeçarin për të kryer të paktën 6 vrasje si dhe disa atentate. Hetimet nisën nga Prokuroria e Elbasanit dhe më pas u trasferuan në prokurorinë e posaçme.
Kjo e fundit zbuloi edhe anetarë të tjerë të dyshuar të grupit, si edhe dokumentoi 17 ngjarje të rënda kriminale që janë kryer midis viteve 2018-2021. Po kështu prokuroria e Fierit ka dyshime se Laert Haxhiu është I përfshirë edhe në vrasjen e Besnik Hidës, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2019-të në qytetin e Lushnjës./abcnews.al