Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka folur me një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News. Në bisedën me moderatorin Gerti Çarçani, Martini preku shumë tema: rifillimi i kampionatit, forma fizike e futbollistëve dhe situatën në Shkodër, që sipas tij, po rëndohet nga dita në ditë.
“U bë një kohë e gjatë që nuk kemi aktivitet. Normalisht, po bëjmë vetëm stërvitje individuale, kemi krijuar dhe disa grupe me nga 2-3 vetë që bëjnë stërvitje atletike pa top. Kemi dhe lojtarë që janë jashtë Shqipërie dhe është e pamundur të fillojë kampionati pa pasur një periudhë 10 ditore për t’u stërvitur.
Kam qenë i pari që kam thënë se duhet të rifillojë kampionati dhe të vendoset në fushë. Por kështu si po shkojnë gjërat, kemi frikë dhe ka një numër shumë të madh infektuarish që shteti nuk i di akoma. Është situatë kaotike dhe situata po rëndohet nga dita në ditë. Janë shumë pak njerëzit e infektuar, por po ta shohim realisht, ka shumë më tepër. Nuk do të ishte çudi e madhe edhe nëse ndërpritet kampionati, kemi të bëjmë me jetë njerëzish, jo me lojë.

Pikërisht, na duhet të paktën një periudhë 10 ditore, por dy javë do të ishin më se të mjaftueshme. Po bëhet një muaj e gjysmë që jemi larg fushave, kanë humbur shumë gjëra. Është shumë e rëndësishme edhe stërvitja me topin, nga ana taktike. Duhen minimumi 10 ditë, 15 ditë janë optimale. Mendoj se gjendja fizike duhet të jetë e kënaqshme për ne, të punojmë dhe 2 javë në fushë dhe jemi afruar ndjeshëm me ritmin e fushave të lojës.
Do ulet cilësia? Unë them që do të ulet, gjithsesi, këtu do të përfitojnë ekipet që kanë më shumë lojtarë në dispozicion, që e kanë plot ekipin. Është shumë e rëndësishme prania e lojtarëve në stol. Ne, kemi mjaftueshëm lojtarë, por ngarkesa e tri ndeshjeve në javë, do të jetë shumë e madhe. Është shumë stresuese dhe shumë e lodhshme, edhe temperaturat do të rriten. Nuk do të jetë e lehtë ta përballojmë” u shpreh Martini./abcnews.al