Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit ndaj Kukësit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, aty ku u shpreh:
“Kupa ka specifikë tjetër, është një ndeshje ku nuk lejohen gabimet. Për këtë, do të luftojmë fort. Kemi një shans shumë të mirë, por nga fillimi deri në fund, duhet të jemi të kujdesshëm.
Nuk e kisha menduar se do të humbnim 3-0, pasi po bënim ndeshje shumë të mira. Pësuam dy gola të shpejtë dhe kjo gjë na preu këmbët. Në pjesën e dytë, morëm dy kartonë të kuq dhe e kishim të pamundur të reagonim. Kjo gjë mund t’i ndodhë çdo ekipi, kështu që ne duhet të shohim përpara, te ndeshja e nesërme e Kupës.
Rezultati i ndeshjes së parë, është i barabartë për të dyja ekipet. Ne tentuam të shënonim në ndeshjen e parë, i patëm rastet, por nuk arritëm. Tani shanset janë 50/50. Duhet të jemi vigjilentë gjatë gjithë ndeshjes dhe të kërkojmë me çdo kusht të gjejmë golin.
Unë e kam thënë dhe më përpara që objektivi i Teutës duhet të jetë Europa. Jemi me një këmbë afër, në fundjavë presim Partizanin. Jemi katër pikë përpara, jane dhe tre ndeshje. Mendoj që jemi në rrugën e duhur në kampionat.
Kupa është një mundësi shumë e mirë për të arritur në Europë. Kukësi ka shumë pak pika të dobëta, por ato që ka, të mundohemi t’i shfrytëzojmë”, u shpreh Martini./abcnews.al